Në objektin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) ka filluar intervistimi i kandidatëve për kryetar të Gjykatës Themelore në Pejë.
Emrat e kandidatëve për pozitën e kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë janë:
Shemsedin Haxhijaj;
Musë Povataj dhe
Sami Sharraxhiu.
KGJK-ja kishte shpallur konkursin e brendshëm për kryetar të Gjykatës Themelore në Pejë më 28 maj 2025 në mbledhjen e 347-të, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Më 1 korrik 2025, përfundoi mandati pesëvjeçar i kryetarit të deritashëm, Armend Berisha.
Intervistat zhvillohet para Komisionit me këtë përbërje: Drita Rexhaj, Fahret Vellija dhe Mirjeta Shala, kurse anëtar rezervë është Vilard Bytyqi.
Ky proces zhvillohet bazuar në Rregulloren e miratuar në KGJK-ja që mban numrin 12/2022, me të cilën rregullohen procedurat për zgjedhjen, emërimin, pezullimin dhe shkarkimin e kryetarëve të gjykatave dhe gjyqtarëve mbikëqyrës.
Pas përfundimit të intervistimit, sipas Rregullores, Komisioni përpilon raportin final me emrat e kandidatëve të suksesshëm, i cili i dorëzohet Këshillit.
Ky Këshill, pastaj zhvillon procedurën e votimit për emërimin e kryetarit/es dhe kandidati që merr më së shumti vota, emri i tij i dërgohet Presidentes së Shtetit për dekretim.
Në rast se kandidati nuk merr votat e nevojshme në raundin e parë, kalohet në të dytin dhe në rast se as në të dytin nuk merr shumicën e thjeshtë të votave, kalohet në raundin e tretë me emrat e dy kandidatëve më të votuar. E nëse as në raundin e tretë nuk arrihet që kandidati të marrë votat e nevojshme, konkursi rishpallet nga Këshilli.
Për këtë proces, KGJK-ja ka dërguar ftesën për monitorim të intervistave, duke potencuar se procesin e mbështetë në parimin e meritokracisë, transparencës, trajtimit të barabartë dhe të mbështetur në një proces objektiv.
Instituti i Kosovës për Drejtësi është duke e monitoruar këtë proces.