Shoqata Nënë Tereza nga Trevizo nderoi zjarrëfikësit e komunës së Klinës

Kosova

Shoqata Nënë Tereza nga Trevizo nderoi zjarrëfikësit e komunës së Klinës

Nga: Gëzim Muçolli  Më: 25 gusht 2025 Në ora: 16:11
Foto nga takimi

Kthimi i mërgimtarëve në vendlindje për të kaluar pushimet verore është kënaqësi dhe sakrificë që përcillet për çdo vit bashkë me emocionet dhe me energjinë pozitive që të mbush toka e të parëve.

Kjo verë ishte tepër e nxehtë por prapseprap shumë mëgimtarë në vend të pushimeve në bregdet vendosen të kalojnë javët e pushimit afër njerëzve të dashur në fshatrat dhe qytetet e Kosovës.

Mirëpo këtë herë toka dhe qielli i këtij vendi të artë e të bekuar ishte plot halle e rreziqe që tejkalonin edhe çështjet ekzistenciale të shumë familjeve që përballen në përditshmërinë e tyre. Preokupim i veçantë ishin zjarret e shumta anekënd Kosovës që rrezikonin pos dëmeve materiale në prona dhe natyrë edhe jetët e njerëzve.

Rreziku nga e keqja përherë i ka bërë bashkë shqiptarët e edhe në përballjen për fikjen e zjarreve kanë dalur të gjithë, duke i ndihmuar ekipet e zjarrëfikësve që nuk e ulën asnjëhere gatishmërinë për tu përballur me emergjencën e krijuar. Kjo u pa edhe në fillim të gushtit kur vatrat e zjarrit  po përhapeshin duke u rrezikuar fshati Siçevë dhe disa fshatra tjera si: Dush, Jellovcë, Resnikë e Açarevë. 

Rasti deshi që edhe një mërgimtar i dalluar për veprimtarinë e tij kulturore dhe atdhetare në Itali, sapo mbërriti në vendlindjen e tij, në fshatin Siçevë nuk shkoi në shtëpi, por iu bashkua zjarrëfikësve dhe bashkëfshatarëve në përpjekje për ti fikur vatrat e zjarrit që po përhapeshin të ndihmuara edhe nga thatësia e shkaktuar për shkak të temperaturave të larta të stinës. 

I sapoardhur nga Treviso e Italisë, z. Bajram Desku takoi menjëherë zjarrëfikësit të cilët ishin në veprim. Në vendin e ngjarjes edhe pranë atyre që po fiknin zjarrin ishte edhe kryetari i komunës së Klinës Prof.Dr. Zenun Elezaj,  bashkë me komandantin e policisë Enis Lluka, i cili kishte sjellë edhe ekipe policore me vete për të ofruar siguri dhe për të ndihmuar, pastaj edhe ushtarë nga Kfori italian nga qendra e tyre në Pejë. Aty ishte sjellur edhe autoambulanca e ndihmës së parë nga Klina për raste eventuale të lëndimeve gjatë këtij operacioni të shpëtimit.

Duke u përballur edhe me erën e fuqishme, që po ndihmonte përhapjen e flakëve, më në fund zjarri u shua dhe falë angazhimit të zjarrëfikësve u shpëtua fshati nga djegjet e shtëpive. Prapa tymit, shkrumbit dhe hirit për kronikën e asaj dite mbetën të djegura disa shtëpi dhe shtalla të bagëtive.

Bajram Desku flet me respekt maksimal për punën e vetmohueshme që bënë zjarrëfikësit duke i quajtur ata  heronj të këtyre ditëve. Ai vetë u angazhua edhe duke ndihmuar në komunikimin e tyre si dhe të autoriteteve institucionale të Klinës, me Kforin italian prezent në betejën e madhe me zjarrin.

Duke i parë në vepër çfarë ishte guximi vetmohues dhe sakrifica e djemve të njësisë për shpëtim, të cilët rrezikuan edhe jetën e tyre për të shuar zjarret, për të nderuar punën e tyre të madhe që shpëtoi jetën dhe pasurinë e njerëzve, Bajrami i cili në Treviso është kryetar i Shoqatës Kulturore “Shën Nëna Tereze” bashkë me z.Hetem Zogaj nënkryetar dhe anëtarin e kryesisë z.Albert Bashota si dhe  z.Smail Gashi dhe z.Ramiz Gashi, të gjithë bashkëatdhetarë të dalluar me afarizmin e suksesshëm dhe veprimtarinë e tyre atdhetare në Itali, vendosën të vizitojnë zyrat e zjarrëfikësve, të shoqëruar edhe nga drejtori për financa dhe ekonomi i komunës së Klinës z.Enver Berisha  si dhe ambientalisti z.Ragip Kryeziu.

Me 14 gusht ata u pritën nga  Komandanti i njësisë se shpëtimit z.Elmi Zenunaj së bashku më disa bashkëpuntorë, të cilëve iu dorëzua një mirënjohje e merituar për  zjarrëfikësit me motivacion: “Për kontributin e dhënë dhe sakrificat tuaja deri në rrezikimin e jetës si njësi e shpëtimit”. Aty u zhvillua edhe një bisedë e sinqertë ku komandanti Zenunaj  i njohtoi me realitetin dhe vështirësitë që përballen përditë, sidomos me problemet shëndetësore të zjarrëfikësve nga pasojat e zjarreve.

Poashtu ai tha se ndjehen të kënaqur me nderimin dhe përkrahjen morale që kanë marrë nga mërgata, kurse  Bajrami u zotua se ishte i gatshëm që gjatë gjithë ditëve të pushimit ti bashkangjitet vullnetarisht ekipit të shpëtimit sa herë që të ketë nevojë për të.

Edhe një herë u pa se sa të lidhur janë bashkëatdhetarët tanë me të mirat dhe me hallet e përditshmërisë së njerëzve tonë në Kosovë duke i bashkëndjerë edhe momentet më të vështira me ta. Shembull i mirë për të nderuar vendlindjen që nuk e harron asnjëherë kontributin e dhënë në çdo kohë nga bashkatdhetarët e mërguar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat