​Parkingu nëntokësor nuk u bë kurrë në Podujevë, ishte “propagandë” apo çështja pronësore ishte problem?

Kosova

​Parkingu nëntokësor nuk u bë kurrë në Podujevë, ishte “propagandë” apo çështja pronësore ishte problem?

Më: 19 shtator 2025 Në ora: 18:57
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi është arsyetuar lidhur me mosrealizimin e parkingut nëntokësor, duke thënë se ky projekt është në fazën përfundimtare të procedurave, por se realizimi i tij varet nga një çështje pronësie që është në proces gjyqësor.

Edhe pse Bulliqi në vitin 2023, tha se Podujeva po bëhet me parking nëntokësor, atje ende nuk kanë nis punimet.

Asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ekrem Rrahmani kishte kritikuar Bulliqin, duke thënë se parkingu nëntokësor ishte vetëm “mashtrim”. Ai për Tv Dukagjini kishte thënë se Bulliqi “e ka ditur që kishte kontest pronësor por ka dashur ta përdorë vetëm si propagandë”.

Kurse, Bulliqi i ka thënë KosovaPress-it se pesë ari të sipërfaqes ku do të ndërtohet parkingu, janë në pronësi private dhe se komuna po pret vendimin e gjykatës për të vazhduar me nënshkrimin e kontratës për partneritet publik-privat.

“Parkingu nëntokësor, ne kemi filluar të gjitha procedurat, momentin e fundit kur kemi ardhë deri në procesin e nënshkrimit të kontratës me partneritetet publiko-privat që pesë arit e asaj sipërfaqe janë në pronësi private dhe jemi në proces gjyqësor me personin i cili e ka në pronësi atë. Së shpejti besoj do të zgjedhim, sepse, kjo nuk varet nga ne, por nga vendimi gjyqësor”, ka shtuar Bulliqi.

Bulliqi ka theksuar se gjatë pesë viteve të fundit, komuna ka realizuar mbi 250 milionë euro investime në projekte të ndryshme, duke transformuar rajonin e Llapit në një territor me zhvillim të vazhdueshëm. Ai u shpreh se kritikat e mëparshme për qeverisjen e keqe janë zëvendësuar me fakte dhe punë konkrete që qytetarët tashmë i përjetojnë çdo ditë.

“Gjitha kritikat që i kemi dhënë më herët për qeverisjen e keqe që ka pas, për ato vite, sot po i përmirësojmë me projekte e fakte konkrete, të cilat qytetarët po i përjetojnë, shohin dhe ndjejnë. Jemi prej komunave që kemi një investim të jashtëzakonshëm gjatë kësaj periudhe kohore. Për pese vitet e qeverisjes tonë kemi mbi 250 milionë investime në projekte të ndryshme gjithandej Llapit.”, ka thënë Bulliqi.

Këto deklarata, Bulliqi i bëri pas inaugurimit të shtatores së heroit të Kombit Afrim Zhitia në Llugë të Podujevës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat