​Bujar Gashi nga urgjenca në Kuvendin Komunal, vizioni për një Prishtinë më të shëndetshme

Kosova

​Bujar Gashi nga urgjenca në Kuvendin Komunal, vizioni për një Prishtinë më të shëndetshme

Më: 20 shtator 2025 Në ora: 16:15
Bujar Gashi

Bujar Gashi, kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për asamblenë komunale të Prishtinës, hyn në këtë garë me përvojë mbi dy dekada e gjysmë në sektorin e shëndetësisë. Ai ka theksuar se eksperienca e tij si mjek, menaxher dhe drejtues në nivele të ndryshme të shëndetësisë publike, do t’i shërbejë kryeqytetit në përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.

Gashi i cili deri më tani ka udhëhequr Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, shpjegon se vendimi për të kandiduar vjen nga bindja se nevojat e qytetarëve duhet të përfaqësohen fuqishëm në kuvendin komunal.

Gashi: Përvojën time profesionale dua ta shndërroj në angazhim politik

“Ajo që më shtyu t’i futem kësaj gare për asamblenë komunale të kryeqytetit, është bindja ime personale për përvojën që e kam deri më tani, rreth 26 vite punë në sektorin e shëndetësisë. Realisht në dy nivele, fillimisht si infermier në Qendrën Klinike Universitare, pastaj në Qendrën e Mjekësisë Urgjente e mjek, specialist i mjekësisë familjare, pastaj drejtor në qendrën e mjekësisë urgjente, drejtor në drejtorinë e shëndetësisë në komunë gjatë pandemisë dhe katër vitet e fundit drejtor i QKMF-së. Ishte një përvojë e jashtëzakonshme dhe mendoj se këtë përvojë në sektorin publik, me theks të veçantë në shëndetësi, mund ta përdor në të mirën e qytetarëve dhe në përcjelljen ose në lëvizjen e gjërave nga perfeksionimi i shërbimeve ndaj qytetarit, sidomos në këtë kohë kur jemi në trendin e teknologjisë e kur ende fatkeqësisht për shkak të mënyrave të ndryshme ose nivelit qendror, sistemit informativ shëndetësor po ngelim ende me raporte në dorë pacienti, mjeku, infermieri, kjo do të ishte ajo me të cilën do të kisha punuar në të ardhmen dhe të jap një kontribut. Kjo përvojë më ka shtyrë të lëviz deri këtu dhe të marr këtë vendim nga ana profesionale në anën politike”, tha ai

Duke qenë për vite pjesë e Qendrës së Mjekësisë Urgjente, Gashi thotë se ka pasur mundësinë të njohë nga afër realitetin e shumë lagjeve dhe familjeve të Prishtinës.

Gashi: Kjo përvojë e gjatë më ka bërë të kuptoj se cilat janë nevojat e qytetarëve

“Kjo përvojë e gjatë më ka bërë të kuptoj se cilat janë nevojat e qytetarëve. Duke qenë pjesë e Qendrës së Mjekësisë Urgjente ka shume pak rrugë të cilat nuk i kam shkelur me veturën e urgjencës e në shumë shtëpi e banesa kam hyrë. Kur ballafaqohesh me qytetarin dhe nevojat e tij të përditshme, atëherë domosdoshmërisht duhet të dish se cilat janë pengesat ose cilat janë kërkesat e tyre, për të pasur shërbime cilësore, të qasshme dhe në kohë. Jemi munduar gjatë kësaj periudhe që të përmirësojmë dhe normalisht që ka shumë të arritura të cilat janë realizuar deri më tani, mirëpo të mirat nuk përfundojnë dhe do të ketë kohë dhe do të ketë hapësirë për përmirësim, qoftë në infrastrukture, qoftë në pajisje modern, qoftë në atë që thashë, teknologji sepse fundi i fundit, kjo është ajo që qytetarit i duhet. Shërbimet shëndetësore, sa më afër qytetarit.”, tha ai.

Ai shton se një prej problemeve kryesore është mospërputhja e numrit të punëtorëve shëndetësorë me numrin real të banorëve që marrin shërbime në Prishtinë.

Gashi: Tash 10 vite menaxhim, më është bërë refren çështja e problemeve të cilat thjeshtë nuk kemi mundur ti zgjidhim deri tash

“Tash 10 vite menaxhim, më është bërë refren çështja e problemeve të cilat thjeshtë nuk kemi mundur ti zgjidhim deri tash. Janë zgjidhur shumë prej tyre që kanë qenë në dorëm tonë, në dorën e komunës së Prishtinës, mirëpo disa tjera nuk kanë qenë. E para që është më sfiduesja dhe mendoj që duhet zgjedhur është numri i vogël i punëtorëve shëndetësor në krahasim me numrin e banorëve në kryeqytet. Nuk po flas për numrin e banorëve resident, që janë të regjistruar si banorë të kryeqytetit, mirëpo, me numrin e banorëve që jetojnë në kryeqytet e që marrin shërbime tek ne e që nuk janë banorë të kryeqytetit dhe ne si kryeqytet nuk marrim fonde për ta. Do të thotë granti specifik ndahet në bazë të numrit aktual të banorëve, që në regjistrimin e fundit është 227 mijë, e këtu është një disbalancë. Ne kemi numër të punëtorëve për 227 mijë, ofrojmë shërbime shëndetësore për 350 mijë ose 400 mijë banorë, kjo do të jetë sfida e radhës. Sfida e dytë, e jo më pak e rëndësishmja është digjitalizimi. Punojmë me një sistem informativ shëndetësor i cili nuk lejon aplikacion tjetër, nuk lejon sistem të ndërlidhur të laboratorit të radiologjisë, që me një lloj forme do të na lejonte të punojmë me më pak staf dhe puna të jetë kualitative. Pacienti shkon në sportel, duhet të marrë një raport, një udhëzim, të shënohet në protokol, duhet edhe në sistem. Bëhet një punë e dyfishtë nga punëtori shëndetësor,”, tha Gashi.

Në vizionin e tij për katër vitet e ardhshme, Gashi shpalos prioritetet që lidhen me teknologjinë, rritjen e stafit shëndetësor, oraret fleksibile për punëtorët dhe lehtësimin e procedurave për pacientët.

Gashi: Do të punojmë shumë në rritjen e punëtorëve shëndetësorë dhe orarin fleksibil

“Bashkëpunim me të gjithë kolegët, zëri i qytetarëve në kuvendin komunal, duke i ditur problemet dhe nevojat e qytetarëve, sa i përket shëndetësisë do të mundohem maksimalisht që në katër vitet e ardhshme në qeverisjen e kryetarit Rama, një herë e përgjithmonë të kalojmë në sistemin digjital të komunikimit dhe të punës në sistemet shëndetësore, do të punojmë shumë në rritjen e punëtorëve shëndetësorë dhe orarin fleksibil në të mirën e qytetarëve dhe në të mirën e punëtorëve shëndetësor që ata të kenë një transparence dhe një kohë të mjaftueshme që të merren me qytetarët dhe me pacientin. Të ketë një qasje më të lehtë të pacientëve të cilët marrin insulinë, e kam përmendur disa herë, që të ketë një lehtësim të procedurave të furnizimit me insulinë sepse jemi duke punuar ende në kohën e gurit. Duhet të shkosh të bësh recetën, të shkosh tek mjeku, të shkosh në barnatore, do të thotë lehtësim i procedurave në këtë drejtim dhe shumë gjëra të tjera të cilat i specifikuam më herët.”, shtoi Gashi.

Me përvojë të gjatë menaxheriale dhe përkushtim ndaj sektorit shëndetësor, Gashi shprehet i bindur se do të kontribuojë që Prishtina të ketë shërbime shëndetësore më cilësore dhe më afër qytetarit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat