Uji nga Liqeni i Badocit ende i papijshëm, as vlimi s’e eliminon manganin

Kosova

Uji nga Liqeni i Badocit ende i papijshëm, as vlimi s’e eliminon manganin

Më: 22 shtator 2025 Në ora: 12:22
Foto ilustrim

Kompania Rajonale e Ujësjellësit `Prishtina`, ka ripërsëritur thirrjen që qytetarët, të cilët furnizohen me ujë nga Liqeni i Badocit, të mos e përdorin ujin për pije për shkak të gjendjes aktuale me `Mangan`.

Në njoftim thuhet se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka theksuar se ndotja e ujit me mangan është ndotje kimike dhe se vlimi i ujit nuk e eliminon manganin. 

“Uji mund të përdoret vetëm për pastrim, mirëmbajtjen e higjienës personale dhe të ambienteve të banimit”, thuhet në njoftim. 

IKSHPK-ja ka sforcuar kontrollin e cilësisë së ujit të pijshëm si dhe bashkëpunimin me KRU 'Prishtina' për të siguruar ujin cilësor për qytetarët. 

"KRU ‘Prishtina’, ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme: Zvogëlimin e sasisë së prodhimit për të ruajtur cilësinë e furnizimit, intensifikimin e proceseve të shpëlarjes së rrjetit shpërndarës, përfshirë edhe gypat magjistral dhe sekondar”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, për të siguruar furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për zonat e prekura (sipas hartave të prezantuara), KRU 'Prishtina', ka thënë se do të ofrojë ujë përmes autoboteve, në përputhje me orarin e përcaktuar dhe të prezantuar nga kompania.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat