​Buqaj: Sulmet kibernetike kërcënojnë sigurinë kombëtare dhe dobësojnë ekonominë

Kosova

​Buqaj: Sulmet kibernetike kërcënojnë sigurinë kombëtare dhe dobësojnë ekonominë

Më: 30 shtator 2025 Në ora: 15:10
Foto ilustrim

Sulmet kibernetike gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në Kosovë synojnë të dëmtojnë reputacionin, të ulin besimin e qytetarëve, të ndryshojnë rezultatet e procesit zgjedhor dhe të cenojnë integritetin e të dhënave të zgjedhjeve.

Kështu u bë e ditur në sesionin e dytë me temën “Zgjedhjet dhe Siguria”, pjesë e forumit të organizuar nga Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, ku fokusi kryesor ishte diskutimi mbi “Demokracinë nën kërcënim: Zgjedhjet si një fushëbetejë gjeopolitike”.

Gjithashtu në këtë sesion u tha se sulmet kibernetike kërcënojnë sigurinë kombëtare dhe dobësojnë ekonominë.

Drejtori në Drejtoratin e Operimeve Qendrore dhe Sigurisë në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit, Gani Zogaj tha se sektorët kryesor që janë target i sulmeve kibernetike janë ai financiar dhe qeveritar.

Për këtë të fundit, Zogaj tha se bëhet me qëllim të uljes së besimit dhe dëmtimit të reputacionit.

Siç tha Zogaj, sulmet kibernetike në Kosovë ndodhin zakonisht në data të rëndësishme për vendin, sepse sipas tij impakti është më i madh.

Zogaj: Sulmet kibernetike bëhen me qëllim të uljes së besimit dhe dëmtimit të reputacionit

“Sektorët kryesor që janë target i sulmeve kibernetike janë sektori financiar dhe ai qeveritar. Sektori financiar për shkak të arsyes shumë të thjeshtë, për shkaqe të përfitimeve personale të grupeve caktuara…Sektori tjetër që është si një prej caqeve kryesore të këtyre grupeve është sektori qeveritar. Kjo për shkaqe kryesisht politike, të reputacionit. Janë disa grupe të caktuara, të përgatitura profesionalisht prej vendeve të ndryshme që janë ose jo mike të atij të vendi të caktuar që sulmojnë, me qëllim të uljes së besimit, të reputacionit. Në këtë kontekst është edhe Qeveria e Kosovës ku zakonisht sulmet kibernetike kanë ndodhur në data të rëndësishme të shtetit. Ne kemi pasur disa data që i kemi konsideruar, data e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dhe data e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe datat e zgjedhjeve. Janë data që zakonisht grupet e caktuara i përdorin dhe bëjnë përgatitje të caktuara më qëllim që të jemi cak i këtyre sulmeve. Sepse impakti i tyre është më i madh sesa nëse janë datat e tjera të zakonshme. Në kontekstin e zgjedhjeve, qëllimi është reputacioni i zgjedhjeve, ulja e besimit, ndryshimi i rezultateve, integriteti i të dhënave dhe u zgjedhjeve”, tha Zogaj.

Profesori juridik dhe eksperti i sigurisë kibernetike, Enver Buqaj tha se sulmet kibernetike kërcënojnë sigurinë kombëtare, dobësojnë ekonominë, derisa shtoi se qëllimi i tyre kryesor sidomos në Kosovë është të humbë apo të zbehë besimin e qytetarëve në institucione.

Mos-anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare të rëndësishme, sipas Buqajt është një nga sfidat kryesore që e bënë vendin tonë të ndjeshëm ndaj kërcënimeve kibernetike.

Ai përmendi edhe raportimin për lëvizjen e dronëve, për çka tha se duhet pasur kujdes të shtuar në përgjithësi, për të garantuar siguri.

Buqaj: Sulmet kibernetike kërcënojnë sigurinë kombëtare, dobësojnë ekonominë

“Sulmet kibernetike kërcënojnë sigurinë kombëtare, dobësojnë ekonominë, qëllimi i tyre kryesor sidomos në vendet siç është Kosova, është të rrezikojë, të humbë apo të zbehë besimin e qytetarëve në institucione…Në këtë front të ri Kosova qëndron në kushte shumë të pafavorshme, të pabarabarta…Kosova deri më tani nuk është anëtar i asnjë institucioni ndërkombëtarë të rëndësishëm. Këto probleme vijnë për shkaqe politike. Nuk jemi njohur nga pesë shtete e BE-së. Mos njohja nga këto pesë shtete na ka penguar të jemi anëtarë i këtyre organizatave ndërkombëtare. Ky izolim institucional është një nga sfidat kryesore që e bënë Kosovën të ndjeshme ndaj kërcënimeve kibernetike. Kosova ende nuk e ka një domen shtetëror të plotë… Serbia me mbështetjen ruse ka koordinuar dhe koordinon vazhdimisht sulmet kibernetike…Ndërhyrjet hapësinore po bëjmë gjithnjë e më të sofistikuara. Investimet në kapacitete bashkëpunimi më ndërkombëtarë dhe aleatët tanë është shumë më rendësi. Kohëve të fundit kemi edhe lëvizje të dronëve. Pa marrë parasysh që raporti i NATO-s deklaron që nuk janë shqetësuese ato. Por mos te harrojmë se ne kemi në burg tre terroristë nga rasti “Banjska”… Kështu duhet të krijohet edhe një lloj sigurie edhe më e madhe në përgjithësi”, tha Buqaj.

Edhe Profesori universitar dhe eksperti në fushën e Studimeve të Sigurisë, Gjon Culaj derisa foli për sulmet kibernetike tha se Serbia ka për qëllim që përmes tyre ta paraqesë Kosovën shtet jofunksional.

Gjithashtu, sipas Culajt qëllim tjetër i Serbisë është lobimi për mosnjohje të Kosovës dhe mohimi i shtetësisë së vendit tonë.

Culaj: Kjo ndërhyrje e Serbisë është krejtësisht në përputhje me dy qëllime që Serbia i ka

“Kjo ndërhyrje e Serbisë është krejtësisht në përputhje me dy qëllime që Serbia i ka dhe i ka pasur që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Në një paraqitjen e Kosovës si shtet jo funksional në aspektin e brendshëm dhe natyrisht kjo ka shkuar në funksion të qëllimit të dytë që është mos njohja. Pra, lobimi për mosnjohje, mohimi i shtetësisë së Kosovës dhe s’forcimi i subjektivitetit ndërkombëtarë”, tha Culaj.

Ndër të tjera, në këtë panel u tha se në kuadër të sulmeve kibernetike hyjnë edhe lajmet e pavërteta, dezinformatat dhe propaganda e Serbisë dhe Rusisë ndaj Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat