Kryeministri Albin Kurti ka vlerësuar kandidatin e Vetëvendosjes për Junik, Jetmir Tofajn, duke e cilësuar si “aktivist të devotshëm, me dije profesionale dhe energji rinore”. Ai tha se Juniku ka dhënë shumë për historinë dhe kulturën e vendit, ndërsa theksoi rëndësinë e zhvillimit të turizmit malor e kulturor.
Kurti premtoi mbështetje për hapjen e qendrës turistike dimërore, palestrës sportive dhe pilotimin e sistemit të mësimit tërë ditor, si dhe për nxitjen e punësimit të të rinjve. “Transformimin ia kemi borxh Junikut, por edhe i takon e e meritojnë banorët e tij,” tha Kurti.
Postimi i plotë:
Juniku është me fat që e ka një kandidat si Jetmir Tofaj. Ky qytet i ka dhënë shumë historisë, kulturës e zhvillimit të vendit mbarë. Jetmiri është aktivist i devotshëm, me dije të lartë profesionale, dashuri për Junikun e energji rinore.
Turizmi malor e kulturor duhet përkrahur për të sjellë zhvillim ekonomik. Ne do ta mbështesim iniciativën për hapjen e qendrës turistike dimërore për shndërrimin e Junikut në destinacion të turizmit. Bashkë me të përkrahim dhe idetë e vizionin e Jetmirit në fusha të tjera, me projekte si hapja e palestrës sportive, pilotimin e sistemit të mësimit tërë ditor e rritjes së aktivitetit ekonomik, duke ndikuar edhe në punësimin veçanërisht të të rinjve. Transformimin ia kemi borxh Junikut por edhe i takon dhe e meritojnë të gjithë banorët.