Osmani: Arsimi dhe digjitalizimi prioritete për mandatin e ardhshëm në Fushë Kosovë

Kosova

Osmani: Arsimi dhe digjitalizimi prioritete për mandatin e ardhshëm në Fushë Kosovë

Më: 7 tetor 2025 Në ora: 22:20
Pamje nga tubimi i LDK-së së Fushë Kosovë

Kandidati për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Besnik Osmani, ka theksuar se arsimi do të mbetet një ndër prioritetet kryesore të qeverisjes së tij në mandatin e ardhshëm, duke vënë theks të veçantë në cilësinë, infrastrukturën dhe digjitalizimin e sistemit arsimor në komunë.

Në një postim publik, Osmani ka njoftuar për projektet konkrete që planifikohen për të ardhmen sic është ndërtimi i tri shkollave të reja në qytet, ndërtimi i 6 çerdheve të reja, prej të cilave 3 në qytet dhe 3 në fshatra, përparimi i procesit të digjitalizimit në shkolla dhe mbështetje të veçantë për fëmijët me nevoja të veçanta, me kushte më të mira për përfshirje dhe zhvillim

“Arsimi është prioriteti ynë! Së bashku me mësimdhënësit, prindërit dhe gjithë qytetarët, do të punojmë për të garantuar një arsim edhe më cilësor në shkollat tona,” ka deklaruar Osmani, duke shtuar se Fushë Kosova do të ecë përtej me projekte që reflektojnë nevojat reale të komunitetit.

Ai ka siguruar qytetarët se asnjë fëmijë nuk do të mbetet prapa dhe se secili do të ketë mundësi të barabarta për arsimim dhe zhvillim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat