Në Komunën e Shtimes u mbajt seanca inauguruese e Kuvendit Komunal, ku kryetari i rizgjedhur Qemajl Aliu dhe 21 asambleistët dhanë betimin e tyre.
Aliu ka marrë sot zyrtarisht mandatin e dytë si kryetar i Komunës së Shtimes, pasi fitoi në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025. Në ceremoninë e betimit, ai u shpreh se kjo ditë është e veçantë, sepse sipas tij qytetarët edhe një herë konfirmuan vullnetin e tyre për vazhdimin e një qeverisjeje të mirë dhe të orientuar drejt punëve konkrete.
Aliu rikujtoi premtimin e dhënë në vitin 2021, duke thënë se sot shumë prej atyre zotimeve janë kthyer në projekte të realizuara. Ai theksoi se Shtimja është bërë një vend më i zhvilluar, më i përshtatshëm për punë, më cilësor për arsimim dhe më i shëndetshëm për të jetuar. Sipas tij, borxhet e komunës janë shlyer, transparenca komunale është rritur në nivelin 100 për qind dhe komuna ka fituar çmime vendore e ndërkombëtare për qeverisje të mirë.
Qytetarët konfirmuan vullnetin për qeverisje të mirë, theksoi Aliu
“Sot është një ditë e shënuar, sepse qytetarët e konfirmuan edhe një herë vullnetin e tyre që mirëqeverisja dhe vazhdimi i punëve të mira të jenë prioritet. Jam i lumtur të theksoj se premtimi i dhënë në vitin 2021, pikërisht në këtë sallë, sot është realitet, dhe Shtimja është bërë një vend me i zhvilluar, më i mirë për të punuar, një mjedis më cilësor për t’u arsimuar dhe një ambient më i shëndetshëm për të jetuar. Besimi që na u dha në vitin 2021 u kthye në punë e rezultate konkrete. Përveçse paguam shume borxhe, ndryshuam mentalitetin qeverisës, e kthyem qeverisjen te qytetari, e rritëm transparencën komunale në 100%, fituam poashtu edhe çmime vendore e ndërkombëtare për qeverisje lokale të shkëlqyer”, tha Aliu.
Gjatë fjalimit, kryetari i ri njoftoi se komuna do t’i shtojë edhe 60 zotime të reja programit të punës, të cilat sipas tij plotësojnë vizionin për një Shtime të barabartë, të drejtë dhe të zhvilluar.
Ai theksoi se ky besim i qytetarëve është nder dhe përgjegjësi, duke bërë thirrje që mandati i ri të jetë i orientuar vetëm në interesat e qytetarëve, pa bllokime politike si në mandatin e kaluar.
Aliu: Kemi 60 zotime të reja që plotësojnë vizionin tonë për një Shtime të barabartë
“Të gjitha punëve të mira dhe të mëdha të mandatit të parë, me besimin e palëkundur të qytetarëve, po u shtojmë edhe 60 zotime të reja, të cilat e plotësojnë vizionin tonë për një Shtime të barabartë, të drejtë dhe të zhvilluar...Ky besim është nder dhe përgjegjësi, dhe na obligon të vazhdojmë punët e mira në shërbim të çdo qytetari...Për hir të së vërtetës, asambleja në mandatin e kaluar ka qenë më shumë penguese dhe bllokuese, sesa e fokusuar në interesin dhe prioritetet e qytetarëve. Uroj që një gjë e tillë të mos përsëritet më kurrë duke ju ftuar secilin prej jush që të punojmë bashkë për ditë më të mira të pasardhësve tanë, që do të ndihen krenarë për gjyshërit që luftuan për pavarësi e liri e për neve që punuam t’ua mbajmë gjallë amanetin e tyre, për liri, drejtësi dhe të ardhme më të mirë”, tha ai.
Në fund, Aliu falënderoi të gjithë qytetarët për besimin dhe u premtoi se qeverisja e tij do të vazhdojë të jetë transparente, bashkëpunuese dhe e orientuar drejt rezultateve.
Seanca u kryesua nga ansambleisti më i vjetër, Haqif Arifi.