Përkeqësohet situata nga vërshimet në Lipjan, Komuna: Gjendja është rënduar, keni kujdes të shtuar

Kosova

Përkeqësohet situata nga vërshimet në Lipjan, Komuna: Gjendja është rënduar, keni kujdes të shtuar

Më: 10 janar 2026 Në ora: 19:28
Gjendja pas reshjeve të shiut

Komuna e Lipjanit ka njoftuar se situata me vërshimet është përkeqësuar ndjeshëm si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut, duke prekur një numër të madh lokalitetesh në territorin e saj.

Sipas njoftimit zyrtar, gjendja më e rënduar paraqitet në fshatrat Rubovc, Konjuh, Qylagë, Banullë, Akllap, Smallushë, Hallaq i Vogël, Rufc dhe Gadime, ku janë evidentuar përmbytje dhe dëme të konsiderueshme.

Autoritetet komunale bëjnë të ditur se, si pasojë e reshjeve, janë dëmtuar dy ura – njëra në fshatin Smallushë dhe tjetra në Gadime të Epërme – si dhe janë shkaktuar dëmtime në infrastrukturën publike dhe në ekonomitë familjare të qytetarëve.

Në reagimin e saj, Komuna e Lipjanit njofton se ka aktivizuar Shtabin Emergjent, i cili është në funksion të plotë dhe në koordinim të vazhdueshëm me institucionet relevante. Ekipet emergjente ndodhen në terren dhe po punojnë për menaxhimin e situatës dhe ofrimin e ndihmës sipas nevojave të paraqitura.

Po ashtu, komuna ka bërë të ditur se është në bashkëpunim të ngushtë me Stacionin Policor në Lipjan dhe Njësinë e Zjarrfikësve, me qëllim të reagimit të shpejtë dhe minimizimit të rrezikut për qytetarët.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë udhëzimet e institucioneve deri në stabilizimin e plotë të gjendjes.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat