ZKA fillon auditimin për sigurinë e nxënësve në shkollat publike në Kosovë

Kosova

ZKA fillon auditimin për sigurinë e nxënësve në shkollat publike në Kosovë

Më: 16 janar 2026 Në ora: 12:21
Foto ilustrim

Në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit për vitet 2025/2026, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka nisur zyrtarisht auditimin e performancës me temën “Siguria e nxënësve në shkollat publike në Kosovë”, i cili përfshin nxënësit e klasave VI deri në XII dhe periudhën kohore 2022–2025.

Sipas njoftimit të ZKA-së, ky auditim ka për qëllim të vlerësojë nëse shkollat publike në vend ofrojnë një ambient të sigurt, të mbrojtur dhe të përshtatshëm për nxënësit, si dhe nëse institucionet përgjegjëse kanë krijuar, zbatuar dhe monitoruar në mënyrë efektive politikat, procedurat dhe mekanizmat për parandalimin, trajtimin, raportimin dhe menaxhimin e rasteve të dhunës dhe incidenteve të tjera në shkolla.

Auditimi do të fokusohet edhe në rolin dhe përgjegjësitë e institucioneve qendrore dhe lokale në garantimin e sigurisë në mjediset shkollore, duke analizuar nivelin e bashkëpunimit ndërinstitucional, funksionimin e mekanizmave mbikëqyrës dhe efektivitetin e masave parandaluese të ndërmarra gjatë viteve të fundit.

"Fushëveprim i këtij auditimi do të përfshijë Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit, Inspektoratin e Arsimit si dhe Drejtoritë e Arsimit në komunat e Prishtinës, Ferizajt dhe Gjakovës. Gjithashtu, në fushëveprim mund të përfshihen edhe Policia e Kosovës dhe drejtoritë e saj rajonale, si dhe Qendrat për Punë Sociale të tri komunave që i nënshtrohen këtij auditimi", njofton ZKA.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat