Kosova ka më së shumti Fatime e Bajrama të regjistruar gjatë Regjistrimit të Popullsisë 2024

Kosova

Kosova ka më së shumti Fatime e Bajrama të regjistruar gjatë Regjistrimit të Popullsisë 2024

Më: 4 mars 2026 Në ora: 11:05
Foto ilustrim

Emrat, Fatime dhe Bajram, janë emrat më të përhapur në Kosovë, sipas të dhënave të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave (ReKos) 2024, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Sipas një komunikate nga ASK-ja, emrin Fatime e mbajnë 6 339 gra, ndërsa atë Bajram, 4 485 burra.

Por, derisa këto shifra pasqyrojnë vetëm popullsinë rezidente të regjistruar gjatë Regjistrimit të Popullsisë 2024, këta dy emra janë larg më të përhapur tek shtetasit e Kosovës, kur përfshihet edhe mërgata.

Diçka e tillë vërtetohet, kur krahasohet kjo shifër me burimet administrative nga Agjencia e Regjistrit Civil (ARC), e cila përfshin të gjithë personat që kanë dokumente të Republikës së Kosovës, edhe ata që jetojnë jashtë vendit.

Aplikacioni “Kërko emrin” në webfaqen e ASK-së, është i lidhur direkt me bazën e të dhënave të ARC-së, ku qytetarët mund të kërkojnë për emrat, ndërsa shifrat nga Regjistrimi i Popullsisë 2024 bazohen vetëm në popullsinë rezidente të regjistruar gjatë periudhës së regjistrimit.

Aty del, se emrin Fatime e kanë gati dyfish më shumë gra, 11 836 sosh, derisa Bajramët e tejkalojnë dyfishin, me 11 759 persona që e kanë këtë emër. Emrat e tjerë më të përhapur, janë: Emine, Bekim, Agim, Muhamet, Fatmir, Ramadan, Arben dhe Ganimete.
Ndërsa te mbiemrat prijnë mbiemrat, Krasniqi e Gashi e Berisha. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat