Ish-komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Azem Syla, u takua me Binak Dautajn nga Carrabregu i Epërm i Deçanit, duke sjellë ndër mend shumë kujtime nga vitet ’80, udhëtimet e vështira, plot sakrifica nëpër bjeshkët e Gjeravicës deri në Sylbicë të Shqipërisë.
“Një takim me rëndësi të veçantë me mikun tim, Binak Dautajn nga Carrabregu i Epërm i Deçanit.
Ky takim m’i ktheu shumë kujtime nga vitet e ’80-ta. Nga kjo familje fisnike, së bashku me Rifatin dhe Binakun, pata nderin të shoqërohem nëpër bjeshkët e Gjerovicës deri në Sylbicë të Shqipërisë.
Ishin më shumë se një herë udhëtime të vështira, plot sakrifica, por të mbushura me besim, burrëri dhe miqësi të sinqertë.
Sot, me respekt dhe mirënjohje të thellë, e them për herë të parë publikisht atë shoqërim dhe përkrahje që ma dhanë gjatë asaj rruge të vështirë. Janë kujtime që nuk harrohen kurrë dhe miqësi që mbeten përjetë”, u shpreh ish-komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Azem Syla.