​Me nderime të larta i jepet lamtumira e fundit veprimtarit Shefki Sejdiut

Kosova

​Me nderime të larta i jepet lamtumira e fundit veprimtarit Shefki Sejdiut

Më: 10 prill 2026 Në ora: 19:35
Pamje nga vendi i ngjarjes

Sot, iu dha lamtumira e fundit veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shefki Sejdiu, njërit prej veprimtarëve të përkushtuar të çështjes kombëtare, i cili ia kushtoi jetën lirisë dhe atdheut. Nën praninë e familjarëve, bashkëluftëtarëve, miqve dhe qytetarëve të shumtë, u nderua figura dhe vepra e tij, duke e përcjellë për në banesën e fundit me respekt dhe mirënjohje të thellë për kontributin e tij të çmuar.

Ani se ceremonia e varrimit u bë pa rite fetare sipas ‘amanetit’ të tij, i ndjeri u varros me gardë ceremoniale dhe me këngë nga kori i burrave, duke i dhënë kështu nderimet e fundit një figure të shquar si Sejdiut.

Shefki Sejdiu ishte një nga themeluesit e Organizatës “Shqiptaria” dhe një figurë e njohur e angazhimit kombëtar që nga vitet ’90.

Atmosfera e rënduar nga dhimbja dhe pikëllimi ka shoqëruar gjithë ceremoninë, ku u vlerësua lart jeta dhe veprimtaria shumëdimensionale e të ndjerit, duke e cilësuar atë si një figurë të përkushtuar ndaj lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe figura të njohura të luftës, përfaqësues të institucioneve dhe bashkëluftëtarë të shumtë të ish-Zonës Operative të Llapit.

Në fjalën përkujtimore, ish-komandanti i mbrojtjes civile të Zonës Operative të Llapit, Muhamet Latifi, bashkoi kujtimet dhe vlerësimet për jetën dhe veprën e të ndjerit, duke e cilësuar atë si një ndër figurat më të përkushtuara të çështjes kombëtare.

Shefkiu ishte njeri që nga bankat e shkollës zgjodhi rrugën e duhur, e zgjodhi rrugën e atdhedashurisë

“Shefkiu ishte njeri që nga bankat e shkollës zgjodhi rrugën e duhur, e zgjodhi rrugën e atdhedashurisë. Ai jo vetëm që bëri zgjedhjen e drejtë, por u bë pjesë aktive dhe e pandashme e lëvizjeve ilegale dhe legale kombëtare, që nga demonstratat për avancimin e statusit të Kosovës në Republikë, të cilat shtypeshin brutalisht nga regjimi i atëhershëm okupues serbosllav. Kontributi i tij nuk ishte vetëm si pjesëmarrës, por ishte organizator dhe mbështetës i palodhur, me angazhim personal dhe me çdo aspekt, po edhe me mjete financiare. Shefkiu i dha lirisë dhe shtetit gjithçka nga vetja e tij. I dha punën, i dha energjinë, i dha ndershmërinë, por i dha edhe gjakun e tij. Në vitin 2023, Shefkiu i shqetësuar nga disa tendenca për tjetërsimin kulturor, historik dhe kombëtar, ai së bashku me bashkëpunëtorë e bashkëveprimtarë themeloi organizatën joqeveritare për mbrojtjen dhe kultivimin e traditave të emërtuar Organizata Shqiptaria, duke vazhduar kështu misionin e tij edhe në kohë paqeje. Sot ne nuk po i japim vetëm lamtumirën e një njeriu, por po e nderojmë një jetë të tërë të vënë në shërbim të atdheut. “- u shpreh Latifi.

Në këtë ceremoni foli edhe profesori Abdullah Blakqori, i cili e përshkroi të ndjerin si një figurë të frymëzuar nga idealet më të larta kombëtare dhe si një atdhetar që la gjurmë të pashlyeshme.

Shefki Sjediu ishte frymëzuar fillimisht nga figurat më emblematike të kombit shqiptar, siç ishin: Gjergj Kastrioti - Skënderbeu

“Kur edhe retë janë mrrolur dhe qielli po qan, ne e kujtojmë këtë figurë madhore, këtë patriot, këtë atdhetar, i cili para lufte, gjatë lufte dhe pas lufte ishte prorer në shërbim të atdheut. Në sytë e tij lexohej historia, ndërkaq e kishte kujtimin nga lufta dhe plagët i lexoheshin, dhe aty frymonte liria e atdheut. Për këtë liri, për këtë ideal, për këtë sakrificë sublime, ai ishte frymëzuar fillimisht nga figurat më emblematike të kombit shqiptar, siç ishin: Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, Isa Boletini, Ismail Qemali, Ded Gjo Luli, Bacë Adem Demaçi, Adem Jashari, Dhe themeluesi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, komandanti i saj i lavdishëm, Zahir Pajaziti.” , tha Blakqori.

Në emër të familjes, i biri i të ndjerit, Ujmir Sejdiu, falënderoi të gjithë të pranishmit për mbështetjen dhe pjesëmarrjen në këtë ditë të rëndë për familjen.

Biri i Sejdiut: Faleminderit që keni ardhur sot të ndani dhimbjen me ne

“Të nderuar të pranishëm, familjarë, miq e dashamirë, bashkëluftëtarë të babës, ju faleminderit që keni ardhur sot të ndani dhimbjen me ne dhe ta përcjellim babën për në banesën e fundit”, tha Sejdiu.

Shefki Sejdiu vdiq më 8 prill 2025, duke lënë pas një kontribut të jashtëzakonshëm në shërbim të lirisë dhe çështjes kombëtare shqiptare. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat