​Nxënës nga tri komuna marrin trajnim për reagim në emergjenca

Kosova

​Nxënës nga tri komuna marrin trajnim për reagim në emergjenca

Më: 1 qershor 2026 Në ora: 10:52
Foto nga vendi i ngjarjes

Rreth 100 nxënës të klasave të VIII-ta dhe IX-ta nga shkollat fillore të komunave të Fushë Kosovës, Mitrovicës dhe Shtimes po marrin pjesë në një trajnim dyditor për kërkim-shpëtim dhe mbijetesë, i cili po mbahet në Qendrën e Kërkim-Shpëtimit në Berim (Qeqevë), në komunën e Zubin Potokut.

Aktiviteti po organizohet nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve. Trajnimi përfshin ligjërata teorike dhe ushtrime praktike për reagim në situata emergjente, kërkim-shpëtim dhe mbijetesë në natyrë.

Në trajnim, së bashku me nxënësit dhe stafin përcjellës, po marrin pjesë rreth 200 persona.

Në organizimin dhe realizimin e aktivitetit janë përfshirë strukturat e sigurisë, stafi i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Veri, përfaqësues të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, si dhe kryetarët e komunave pjesëmarrëse.

Në këtë ngjarje po merr pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Mbështetje për realizimin e trajnimit kanë ofruar edhe Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, grupi i zhytjes “Trepça”, si dhe njësitë profesionale të zjarrfikës dhe shpëtimit nga komunat e Mitrovicës, Vushtrrisë, Prishtinës dhe Prizrenit.

Sipas organizatorëve, qëllimi i aktivitetit është ngritja e vetëdijes dhe aftësive të të rinjve për reagim në raste emergjente, forcimi i kulturës së sigurisë dhe njohja e tyre me procedurat bazë të kërkim-shpëtimit dhe mbijetesës në terren. Aktiviteti po zhvillohet si pjesë e shënimit të Ditës së Fëmijëve, duke u ofruar nxënësve një përvojë edukative dhe praktike në fushën e menaxhimit të emergjencave.

Organizatorët kanë bërë të ditur se ky trajnim do të vazhdojë edhe me nxënës nga komunat e tjera, ndërsa aktivitetet do të zhvillohen në Qendrën e Kërkim-Shpëtimit në Berim, në komunën e Zubin Potokut.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat