Banorët e Sferkës dhe fshatrave përreth thërrasin në protestë kundër deponisë së mbeturinave

Kosova

Banorët e Sferkës dhe fshatrave përreth thërrasin në protestë kundër deponisë së mbeturinave

Më: 20 korrik 2026 Në ora: 08:30
Sferkë

Banorët e fshatit Sferkë, së bashku me banorë nga Lutogllava, Ruhoti, Tresteniku, Nabërgjani, Ramuni, Kliqina, Leshani dhe fshatra të tjera përreth Pejës, kanë bërë thirrje për protestë kundër gjendjes në deponinë e mbeturinave në Sferkë, duke kërkuar ndërhyrje urgjente të institucioneve.

Sipas njoftimit të publikuar nga fshati Sferkë, protesta do të mbahet të dielën, më 20 korrik, në orën 11:00, pranë deponisë së mbeturinave në Lutogllavë të Pejës.

Banorët shprehen se gjendja në deponi ka kaluar çdo kufi të pranueshëm dhe se djegia e mbeturinave po ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e ajrit dhe shëndetin e qytetarëve.

“Deponia e mbeturinave në Sferkë ka kaluar çdo kufi të pranueshëm. Djegia e saj po ndot ajrin, po rrezikon shëndetin e fëmijëve, të moshuarve, kafshëve dhe po dëmton natyrën tonë. Është koha ta ngremë zërin tonë në mënyrë qytetare”, thuhet në thirrjen për protestë.

Organizatorët kanë paraqitur tri kërkesa kryesore, duke kërkuar ndalimin e sjelljes së mbeturinave të reja në deponi, marrjen e masave urgjente për mbrojtjen e shëndetit publik dhe mjedisit, si dhe gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për menaxhimin e mbeturinave.

“Kërkesat tona janë të qarta: ndalimi i menjëhershëm i sjelljes së mbeturinave të tjera në deponi, marrja e masave urgjente për mbrojtjen e shëndetit publik dhe mjedisit, si dhe zgjidhje të qëndrueshme për menaxhimin e mbeturinave”, thuhet në reagim.

Banorët u kanë bërë thirrje qytetarëve që t'u bashkohen protestës.

“Mos qëndro indiferent! Sot është deponia, nesër mund të jetë shëndeti i familjes sonë. Ejani të gjithë! Zëri ynë është forca jonë. Vetëm të bashkuar mund ta mbrojmë jetën, ajrin dhe të ardhmen e fëmijëve tanë”, përfundon thirrja e organizatorëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat