​“Race for the Cure”, Prishtina ‘vishet’ rozë në mbështetje të grave me kancer të gjirit

Kosova

​“Race for the Cure”, Prishtina ‘vishet’ rozë në mbështetje të grave me kancer të gjirit

Më: 21 shtator 2026 Në ora: 16:30
Foto nga vendi i ngjarjes

Një shtand me bluza dhe produkte të tjera simbolike është vendosur në Prishtina Mall, në kuadër të aktiviteteve për muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit dhe fushatës “Race for the Cure”.

Nga ky aktivitet është bërë thirrje për qytetarët që të bashkohen në mbështetje të grave të prekura nga kjo sëmundje, duke theksuar rëndësinë e kontrolleve dhe diagnostikimit të hershëm.

Drejtoresha e organizatës “Race for the Cure”, Violeta Pirana, ka ftuar qytetarët që më 27 shtator t’i bashkohen aktivitetit në sheshin “Ibrahim Rugova”, duke u regjistruar dhe duke blerë bluzat simbolike.

Sipas Piranës, pjesëmarrja në këtë aktivitet nuk është vetëm një mënyrë për të ngritur vetëdijen, por edhe një mesazh solidariteti për pacientet që po përballen me sëmundjen, të mbijetuarat dhe familjet e atyre që kanë humbur jetën.

Pirana: Kjo sëmundje është duke u përhapur, prandaj duhet të edukohet dhe rinia e të marrin pjesë edhe ata

“Uroj që ky event të filloj me mbështetje sa më tepër ne sheshin Ibrahim Rugova më 27 shtator në 11:00. I ftoj të gjithë të vijnë te regjistrohen, t’i blejnë maicat dhe të jemi te gjithë së bashku në shesh.. Kjo është shumë me rëndësi për të mbijetuarit, për pacientët që po trajtohen dhe të gjitha ato heroinat që kanë humbur jetën nga kjo sëmundje. Sa më tepër që të marrim pjesë, aq më tepër do japim motivim. Kjo sëmundje është duke u përhapur, prandaj duhet të edukohet dhe rinia e të marrin pjesë edhe ata. Race for the cure ka ndikuar që kontrollet të rriten. Kjo ka një efekt shumë të madh në zbulimin e hershëm”, tha ajo.

Në mbështetje të kësaj kauze është edhe qendra tregtare Prishtina Mall. CEO i saj, Alvaro Costa, ka thënë se për qendrën është e rëndësishme që të mbështesë iniciativa që prekin komunitetin dhe të kontribuojë në rritjen e dukshmërisë së tyre.

Costa: Fokusi ynë është të përpiqemi ta bëjmë të dukshme kauzën

“Prishtina Mall ka për detyrë t'i mbështesë këto kauza fisnike, të mbështesë komunitetin tonë. Dhe fokusimi ynë kryesor është të përpiqemi ta bëjmë të dukshme një kauzë dhe të përpiqemi të parandalojmë, diagnostikojmë herët, e në të njëjtën kohë ta promovojmë këtë kauzë fisnike në rrjetet tona sociale dhe natyrisht me mbështetjen tonë. Nuk është bashkëpunimi ynë i parë me Rilindja/Renaissance. Është një organizatë me të cilën faktikisht na pëlqen shumë të punojmë. Prandaj do të donim të motivonim numrin më të madh të mundshëm të njerëzve që të marrin pjesë drejt kësaj kauze që faktikisht e mbështesim shumë.. Faktikisht ky është edhe qëllimi i kësaj marrëveshjeje, t'i japim dukshmëri kësaj kauze, po ashtu të tregojmë se ka shumë tregime suksesi të njerëzve që janë shëruar, që ishin më me guxim apo më pak, por që e kaluan këtë sfidë. Dhe më kryesorja, që diagnostikimi i hershëm është vërtet i rëndësishëm në një moment kur shkenca tashmë ka evoluar, dhe është shumë e rëndësishme që gjithkush të marrë pjesë në këtë kauzë, si dhe që kjo diagnozë të mund të futet në njëfarë mënyre në jetën e përditshme të njerëzve”, tha ai.

Aktiviteti kryesor do të mbahet më 27 shtator, nga ora 11:00, në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat