​Anulohet ekskursioni i maturantëve të Mjekësisë në Mitrovicë, DKA tregon arsyen

Kosova

​Anulohet ekskursioni i maturantëve të Mjekësisë në Mitrovicë, DKA tregon arsyen

Më: 29 shtator 2026 Në ora: 19:08
Fotoilustrim

Një parregullsi në procesin e përzgjedhjes së ofertave ka bërë që maturantët e Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Xheladin Deda” në Mitrovicë të Jugut të mbesin pa ekskursion. Drejtoria Komunale e Arsimit ka anuluar procedurën, me arsyetimin se komisioni nuk i ka zbatuar në përpikëri kriteret e përcaktuara me udhëzimin administrativ.

Drejtori i DKA-së në Mitrovicë të Jugut, Shefki Begu, ka thënë për KosovaPress se vendimi për anulimin e ekskursionit është marrë vetëm për maturantët e kësaj shkolle.

Sipas tij, Komisioni për pranimin e ofertave nga agjencitë e udhëtimit nuk ka vepruar në përputhje të plotë me dispozitat e Udhëzimit Administrativ nr. 02/2016 të MASHT-it për Aktivitetet Jashtëshkollore.

Begu ka thënë se një tjetër element që është marrë parasysh gjatë vendimmarrjes ka qenë fakti se në këtë proces nuk është përzgjedhur oferta më e lirë.

“DKA ka vendosur që ta anulojë ekskursionin për Shkollën e Mesme të Mjekësisë ‘Xheladin Deda’, pasi Komisioni për pranimin e ofertave nga agjencitë e udhëtimit nuk e ka zbatuar në përpikëri Udhëzimin Administrativ nr. 02/2016 për Aktivitetet Jashtëshkollore. Në fund, vlen të theksohet se nuk është përzgjedhur oferta më e lirë”, ka thënë Begu.

I pyetur nga KosovaPress nëse tre shkollat e tjera të mesme do ta realizojnë ekskursionin, Begu ka thënë se edhe maturantët e Mjekësisë mund ta realizojnë atë, por në një datë tjetër dhe pasi të respektohen kriteret e përcaktuara.

“Po, edhe Mjekësia mundet, por në një datë tjetër. Duhet të respektohen kriteret dhe të përzgjidhet oferta më e lirë”, ka thënë Begu

Ndërkaq, drejtoresha e Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Xheladin Deda”, Drita Zaraj Qamili, ka thënë për KosovaPress se shkolla nuk është njoftuar paraprakisht për anulimin dhe se edhe ajo është duke kërkuar sqarime për arsyet e vendimit.

“Vendimin na ka dërguar drejtori, më tepër nuk kemi as ne mundësi me dhënë përgjigje. Edhe ne jemi duke e kërkuar arsyen pse. E ka dërguar diçka për rregullsi ligjore, nuk e di saktësisht cila. Nuk është faj i shkollës sonë”, ka thënë ajo.

Zaraj Qamili ka theksuar se shkolla, Këshilli i Prindërve dhe Këshilli i Mësimdhënësve kanë qenë të përfshirë në procesin e organizimit të ekskursionit.

“Parregullsitë ligjore nuk janë nga ana jonë. Kemi qenë prezente me shkollën, drejtorin, me Këshillin e Prindërve dhe Këshillin e Mësimdhënësve, kështu që vendimi është i DKA-së dhe besoj që ata i japin edhe arsyet pse”, ka deklaruar drejtoresha.

Ajo ka thënë se vendimi është pritur keq nga nxënësit dhe prindërit.

“Është lajm i keqpritur nga ana e nxënësve dhe e prindërve, kështu që ne duhet të pajtohemi me vendimin që vjen nga DKA-ja”, ka thënë Zaraj Qamili për KosovaPress.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat