Në kuadër të aktiviteteve që zhvillohen gjatë muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, do të jenë sot në Klinikën e Onkologjisë në Prishtinë.
Gjatë këtij aktiviteti, ata do të shpërndajnë pako onkologjike, si pjesë e fushatës së “Tetorit Rozë”.
Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit shoqërohet me një sërë aktivitetesh në Kosovë, përmes të cilave synohet të rritet vëmendja e publikut ndaj kësaj sëmundjeje dhe rëndësisë së kontrolleve të rregullta.
Fushata vë theks të veçantë te zbulimi i hershëm, i cili konsiderohet një prej elementeve kryesore në trajtimin e kancerit të gjirit.
Aktivitetet gjatë këtij muaji synojnë gjithashtu të përcjellin mbështetje për pacientet që po përballen me sëmundjen dhe të inkurajojnë gratë që të jenë më të vëmendshme ndaj shëndetit të tyre.