Përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, rinovimi i infrastrukturës sportive dhe nevoja për bashkëpunim ndërmjet institucioneve ishin temat kryesore të diskutuara në panelin për sportin, në kuadër të Samitit të Ballkanit që po mbahet të hënën në Prishtinë.
Shefi i stafit dhe koordinatori i Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, Drilon Brahimi nga Ministria e Rinis dhe Sportit, tha se aktualisht janë duke u rinovuar sallat ekzistuese sportive në disa qytete të Kosovës, ndërsa për realizimin e projekteve të tjera të nevojshme për organizimin e kësaj ngjarjeje sportive është paraparë edhe ndërhyrja në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.
Brahimi: Jemi duke bërë rinovimin në sallat ekzistuese
“Për momentin në tërë vendim jemi duke bërë rinovimin në sallat ekzistuese, si në qytetin e Gjilanit, Mitrovicës, Ferizajt dhe qyteteve të tjera të cilat janë të domosdoshme dhe që kanë qenë të përfshira në atë librin kur e kemi paraqitur ofertën dhe kur na është dhënë e drejta për t’i organizuar këto lojëra. Projektet tjera që nevojiten për këtë organizim është qendra e studentëve, ajo që e quajmë fshati i sportistëve, për këtë kemi nënshkruar një kredi me FD-n, ta bëjmë një rinovim aty, do të ndërtojmë tri konvikte të reja, një pishinë, një pjesë të re për studentët e cila do të jetë e cila do të jetë gati për lojërat dhe gjithë këtë do ta përdorim si fshat për sportistët”, tha Brahimi.
Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë, institucioneve lokale dhe Komitetit Olimpik të Kosovës, në mënyrë që përgatitjet të mos zhvillohen në mënyrë të fragmentuar dhe të sigurohet organizimi sa më i mirë i Lojërave Mesdhetare.
Rama: Është momenti i fundit që të bashkëpunojmë për Lojërat Mesdhetare
“Nëse punojmë dëshpërimisht qeveria në njërën anë, qeveria lokale në anën tjetër dhe Komitetit Olimpik, do të jetë punë si harrnim. Është momenti i fundit apo momenti i mirë sot që t’i harmonizojmë veprimet, kemi profesionistët që kanë hartuar një dokument fantastik në bazë të të cilit 71 përqind e lojërave do të zhvillohen në Prishtinë dhe duhet të zhvillohen në Prishtinë edhe infrastruktura sportive që i përmbushë kërkesat e këtij masterplani duhet të ndihmohet nga qëndror menjëherë e jo të injorohet dhe si i tillë, nëse i harmonizojmë të gjitha ekipet nuk ka dyshim se do t’i kemi lojërat më të mira, përndryshe mund të organizojmë lojëra, por jo më të mirat e mundshme”, theksoi Rama.
Në anën tjetër, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, u shpreh se organizimi i Lojërave Mesdhetare paraqet një mundësi për të dëshmuar kapacitetet organizative dhe institucionale të vendit. Sipas tij, suksesi nuk duhet të vlerësohet vetëm përmes rezultateve sportive, por edhe nga përvoja që do t’u ofrohet sportistëve dhe delegacioneve pjesëmarrëse.
Krasniqi: Duam të dëshmojmë kapacitetet tona organizative
“Duam të dëshmojmë kapacitetet tona organizative dhe institucionale sepse organizimi i Lojërave Mesdhetare nuk është vetëm çështje e infrastrukturës dhe garës por është dëshmi e jona për t’i bashkuar institucionet, federatat sportive, vullnetarët dhe partnerët ndërkombëtar në një qëllim të përbashkët. Për ne, suksesi nuk do të matet vetëm me fitimin e medaljeve por edhe me përvojën që do t’ua ofrojmë sportistëve, mikëpritjen që do t’ua tregojmë delegacionit i cili do të jetë prezent në Kosovë dhe kujtimet të cilat i marrin me vete por edhe trashëgimin që do ta lënë pas këtyre lojërave”, tha Krasniqi.
Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 janë një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive që pritet të organizohen në Kosovë. Përgatitjet për këtë ngjarje përfshijnë zhvillimin dhe rinovimin e infrastrukturës sportive, koordinimin ndërinstitucional dhe krijimin e kushteve të nevojshme për pritjen e sportistëve dhe delegacioneve nga vendet pjesëmarrëse.
Diskutimet në Samitin e Ballkanit nxorën në pah rëndësinë e koordinimit të të gjitha palëve të përfshira, me synimin që projektet infrastrukturore dhe organizative të realizohen në kohën e duhur dhe që Kosova të dëshmojë kapacitetet e saj në organizimin e një ngjarjeje të përmasave ndërkombëtare.