Nga 16 prilli e deri më 18 tetor të këtij viti në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 224 raste me fruth, ndërsa 21 raste janë regjistruar vetëm gjatë javës së fundit.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) bëri të ditur se mbi 95 për qind e personave të prekur nga fruthi janë të pavaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, shytat dhe rubeola.
Ky institute edhe me këtë rast bëri të qartë se vaksinimi mbetet masa më e rëndësishme për parandalimin e sëmundjeve infektive dhe mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve.
Përveç vaksinimit të rregullt sipas kalendarit kombëtar, instituti ka intensifikuar edhe vaksinimin plotësues (catch-up) për fëmijët që, për arsye të ndryshme, nuk janë vaksinuar me kohë.
Si rezultat i kësaj fushate, gjatë këtij viti janë vaksinuar mbi 3,481 fëmijë të grupmoshës 2-5 vjeç.
IKShPK ka vlerësuar kontributin e prindërve, profesionistëve shëndetësorë dhe institucioneve në rritjen e shkallës së vaksinimit, duke theksuar se vaksinimi është thelbësor për mbrojtjen e fëmijëve dhe kufizimin e përhapjes së fruthit.Instituti u bën thirrje prindërve që të sigurohen se fëmijët e tyre janë vaksinuar sipas kalendarit të paraparë dhe, në rast të vaksinimit të vonuar, të kontaktojnë profesionistët shëndetësorë për të marrë udhëzimet e nevojshme.