Dita e katërt e ekspozitës "Shtegtimi i traditës" vazhdon të përcjellë mesazhin e saj, e që është transmetimi i traditës dhe zakoneve të vjetra shqiptare tek gjeneratat e reja, përfshirë veshjes, ushqimet, veglat e punës dhe stilin e jetesës.
Autori i kësaj ekspozite, Nebih Balaj për KosovaPress tha se në ekspozitë ka të përfshirë elemente të shumta shqiptare.
Balaj: Gjeneratat e reja nuk guxojnë të heqin dorë nga trashëgimia jonë
"Në ekspozitë i kemi duke filluar prej traditës së odës këtu, i kemi krejt veshjet shtroje që kanë punuar gjyshërit tonë, punim e krejt dorës, me vetë, me kërrabëza, me ato, po kemi edhe vegla të punës nga pak baballarëve, gjyshërve tonë. Edhe jam përpjekur që atë trashëgimi të shohin gjenerata e re, që nuk guxojnë të heqin dorë prej saj, aty ruhen veshjet kombëtare, ruhen këngët shqipe, vallet shqipe, lojërat, po e ruajmë edhe përshëndetjen shqip", tha Balaj.
Ndërsa Zymer Neziri, këshilltar shkencor dhe pjesë e Degës së Folklorit në Institutin Albanologjik për KosovaPress tha se kjo vepër dëshmon se jemi një popull i lashtë.
Neziri: Neziri: Kjo ekspozitë dëshmon lashtësinë e popullit dhe kulturës shqiptare
"Kjo vepër është një vepër e cila dëshmon se ne jemi një popull i lashtë, kemi një kulturë të lashtë dhe kemi një prej kulturave më të rëndësishme, jo vetëm këtij gadishulli ilirik, siç po quhet edhe ballkanik, por edhe të më gjerësisë, ku përpiqen tri kontinentet, pra, aty ku përpiqet Evropa me Azinë dhe me Afrikën", tha Neziri.