​Pas luftës ndërtuan shtëpitë, sot nëntë familje përballen me kërkesën e Infrakosit për lirimin e pronës

Kosova

​Pas luftës ndërtuan shtëpitë, sot nëntë familje përballen me kërkesën e Infrakosit për lirimin e pronës

Më: 31 tetor 2026 Në ora: 14:48
Foto nga vendi i ngjarjes

Nëntë familje të zhvendosura nga veriu i Mitrovicës, të cilat pas luftës ndërtuan shtëpitë e tyre në Zonën Industriale, në pjesën jugore të qytetit, janë në kontest gjyqësor me Infrakos Sh.A. për parcelën ku jetojnë prej më shumë se dy dekadash. Banorët thonë se u vendosën aty pasi mbetën pa shtëpitë e tyre në veri, ndërsa pretendojnë se për vite me radhë askush nuk ua kontestoi qëndrimin, deri kur Infrakos u kërkoi lirimin e pronës në vitin 2024.

Agim Boletini, njëri nga banorët, pretendon se familjet u detyruan të vendoseshin aty pasi mbetën pa shtëpitë e tyre në veri, ndërsa tani kërkojnë që çështja e pronësisë të sqarohet përmes procedurave gjyqësore.

Boletini: Kjo parcela këtu është 02688-4, prej këtu deri ku janë shtëpitë tona, ku po pretendon Infrakos që është e tyre, por ata fletë poseduese nuk kanë

“Ne jemi vendosur këtu menjëherë pas luftës, prej vitit 2000 deri në vitin 2003. Këtu i kemi vendosur shtëpitë. Ne këtu jemi krejt të pjesës veriore. Shtëpitë në veri i kemi, dikush banesat e uzurpuara i ka pasur, unë e kam hala pronën e shkatërrume, të kalltë, edhe jemi vendosur këtu sepse nuk kemi pasur ku me shku, jemi vendosur në këtë parcelë këtu. Për 25 vite, ne askush nuk na ka bërë problem kurgjo, se kur i kemi ndërtuar shtëpitë këtu e kemi pyetur Komunën e Mitrovicës. Komuna ka thënë: ‘Ne me ju ndihmu nuk mundemi, por ju duhet me u gjend vetë, mundësi vetë nuk kemi me ju ndihmu’. Edhe ne kemi ardhur këtu, i kemi ndertu shtëpitë. Kjo parcela këtu është 02688-4, prej këtu deri ku janë shtëpitë tona, ku po pretendon Infrakos që është e tyre, por ata fletë poseduese nuk kanë”, tha Boletini.

Banori ka deklaruar se prej 27 vjetësh jetojnë si refugjatë në qytetin e tyre, ndërsa në vitin 2024 sipas tij, Infrakos u kërkoi lirimin e pronave brenda 14 ditësh. Sipas tij, banorët janë në proces gjyqësor me kompaninë, e cila pretendon pronësinë mbi parcela që, sipas tij, pjesërisht janë privatizuar për 99 vjet.

Banori: Prej 27 vjetësh refugjatë në qytetin tonë, Infrakos po kërkon të na largojë nga shtëpitë

„Ne, kur i kemi ndërtuar shtëpitë këtu, i kemi ndërtuar se nuk kemi ardhur prej qejfit, se nuk e kemi ditur e kujt është, çka është, edhe u desh me u vendos këtu. Domethënë, kemi qenë refugjatë në qytetin tonë qe 27 vite, askush s’na ka pyetur, askush s’na ka ndihmuar. Komuna na ka ndihmuar kur e kemi rregulluar kanalizimin, na i ka dhënë gypat për kanalizim. Infrakos Sh.A. ka ardhur në vitin 2024, në dhjetor. Ne kemi aplikuar në vitin 2023 për legalizim, që ka qenë afati prej Qeverisë, e në vitin 2024 ka ardhur Infrakos Sh.A. me do letra shumë të paqarta për me ia liruar pronën për 14 ditë dhe ne prej asaj kohe jemi me Infrakos Sh.A. në proces gjyqësor. Por, qikjo prona 02688-3 është privatizuar për 99 vjet, ndërsa për 02688-4 Infrakos po pretendon se është e tyre e nuk kanë letër poseduese, ndërsa treshi është privatizuar. Ndërsa parcela numër 1 është këndej poshtë, është privatizuar betonierka për 99 vite. Domethënë, shumica e parcelës që po pretendon Infrakos Sh.A. është privatizuar për 99 vite e atyre s’po iu thonë kurgjo, veç neve ku i kemi shtëpitë, ne që kemi ardhur prej zorit, nuk kemi ardhur prej qejfit. Si me thënë ndryshe, na prej Kinës nuk kemi ardhur këtu, jemi pjesë e veriut, krejt kemi ardhur prej halli”

Ai pretendon se familjet kanë vazhduar të jetojnë në këtë zonë për vite me radhë, duke paguar shpenzimet e energjisë elektrike, ujit dhe tatimit, ndërsa thotë se nuk kanë pasur dijeni se parcela mund të ishte pronë e ndërmarrjes.

Boletini: Ne, kur e kemi ndërtuar shtëpinë, nëse e kishim ditur që është e Infrakosit, nuk e kishim nisur hiç

“Infrakosi Sh.A. është ngutur se çfarë ka bërë. Ata po nguten se çka kanë bërë, qysh kanë bërë, vetëm po pretendojnë që është prona e tyre e fletë poseduese nuk kanë. Ne, kur i kemi ndërtuar shtëpitë, domethënë këtu ka qenë pa pronarë. Ne, kur e kemi ndërtuar shtëpinë, nëse e kishim ditur që është e Infrakosit, nuk e kishim nisur hiç, kishim shkuar ndoshta diku tjetër me ndërtu. Kur ia ka nisur ky me ndërtu më lart, ka ardhur Infrakosi e i ka thënë: ‘Këtu mos e ndërto, se është e jona’, e për këtu nuk ka thënë kurgjo. E tash, pas sa viteve, po vjen. Paramendo, 27 vjet këtu kemi paguar rrymën, ujin, tatimin edhe pas një kohe e kemi ndier veten që jemi tamam në pronën tonë. Është kohë e gjatë, por përnjëherë”, tha ai.

Sipas Boletinit, përfaqësuesit e Infrakos Sh.A. u janë drejtuar sërish familjeve gjatë vitit 2025, duke u kërkuar lirimin e shtëpive, pas së cilës çështja ka përfunduar në gjykatë.

Boletini: Lëndën në gjyq e ka vendosur Infrakos Sh.A. e tash jemi në proces

“ Lëndën në gjyq e ka vendosur Infrakos Sh.A. e tash jemi në proces. Ky kojshia e ka më 27.10.2026, në ora 14:00, ka me dalë gjykata me krejt ekspertët e ata, e me vërtetu se a e pengojmë na hekurudhën, a jemi në tokë të hekurudhës apo ku jemi. Prej këtu hekurudha është 150 metra, është krejt tjetër kahje, trenat shkojnë krejt tjetër kah, nuk kanë kahje këndej. Këtu nuk ka pasur trena, kur po e shihni edhe vetë, kur s’ka pasur hekurudhë, kur kemi ardhur ne këtu, ka qenë vetëm vend i mbeturinave”, deklaroi Boletini.

Nga ana tjetër, nga ndërmarrja e Hekurudhave të Kosovës – Infrakos Sh.A., për KosovaPress kanë thënë se parcelat kadastrale 02688-4 dhe 02688-1 figurojnë të regjistruara në kadastër në emër të ndërmarrjes, gjë që dëshmohet përmes certifikatave përkatëse të pronësisë.

Sipas Infrakos-it, kërkesat për rregullimin e marrëdhënieve juridike me shfrytëzuesit e pronave përmes kontratave, si dhe për lirimin e tyre në rastet kur nuk arrihet marrëveshje, datojnë para vitit 2010.

Në përgjigjen për KosovaPress, ndërmarrja ka theksuar se gjatë viteve të fundit i ka intensifikuar aktivitetet për identifikimin e rasteve të shfrytëzimit të pronave pa kontrata të vlefshme të qirasë dhe për ndërmarrjen e masave ligjore për mbrojtjen e tyre.

“Infrakos Sh.A., përmes procedurave ligjore, kërkon lirimin e pronës publike (shtetërore), ndërsa kërkesat tjera aksesore që ndërlidhen me periudhën e shfrytëzimit trajtohen gjatë procedurave ligjore dhe vlerësohen nga Gjykata”, thuhet në përgjigjen e ndërmarrjes.

Infrakos ka bërë të ditur se banorët që shfrytëzojnë pronat janë njoftuar përmes takimeve të drejtpërdrejta, komunikimeve verbale dhe njoftimeve me shkrim për statusin juridik të pronës dhe nevojën për rregullimin e marrëdhënieve me ndërmarrjen.

Ndërmarrja ka theksuar se veprimet e saj mbështeten në Ligjin për Hekurudhat e Kosovës, përkatësisht në nenin 45 dhe nenin 128, të cilat, sipas saj, përcaktojnë përgjegjësitë për administrimin dhe mbrojtjen e aseteve hekurudhore, përfshirë ndërmarrjen e veprimeve ligjore ndaj shfrytëzimit të paautorizuar të tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat