Inflacioni në Kosovë 7,1%: transporti shtrenjtohet mbi 21%, rryma e uji afro 10%

Kosova

Inflacioni në Kosovë 7,1%: transporti shtrenjtohet mbi 21%, rryma e uji afro 10%

Nga: bota sot Më: 10 nëntor 2026 Në ora: 21:52
Ushqimet dhe pijet joalkoolike janë 3,2 për qind më të shtrenjta se një vit më parë, ndërsa vetëm në tetor u rritën për 1,1 për qind (Foto ilustruese)

Çmimet në Kosovë në tetor ishin mesatarisht 7,1 për qind më të larta se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, sipas të dhënave të publikuara sot nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK). Shtrenjtimin më të madh e ka pësuar transporti, ku çmimet janë rritur për 21,5 për qind brenda një viti.

Pas transportit renditet grupi i strehimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve të tjera djegëse, ku çmimet janë rritur për 9,7 për qind krahasuar me tetorin e vitit 2025.

Çfarë u shtrenjtua

Ushqimet dhe pijet joalkoolike, që zënë peshën më të madhe në shportën e konsumit të familjeve, janë 3,2 për qind më të shtrenjta se një vit më parë.

Sipas ASK-së, pijet alkoolike dhe duhani janë shtrenjtuar për 5 për qind, restorantet dhe shërbimet e akomodimit për 4,5 për qind, ndërsa kujdesi personal dhe shërbimet e ndryshme për 3,7 për qind.

Çmimet në shëndetësi, si dhe ato të mobiljeve e pajisjeve shtëpiake, janë rritur për 2,9 për qind, kurse veshjet dhe këpucët për 2,3 për qind.

E vetmja kategori me ulje vjetore të çmimeve janë shërbimet arsimore, me 0,3 për qind.

Tetori: rryma dhe ushqimi lart, transporti poshtë

Krahasuar me shtatorin, niveli i përgjithshëm i çmimeve nuk ka ndryshuar, me inflacion mujor prej 0,0 për qind. Brenda grupeve, megjithatë, ka pasur lëvizje të dukshme.

Vetëm gjatë tetorit, strehimi, uji dhe energjia elektrike janë shtrenjtuar për 1,7 për qind, ndërsa ushqimet dhe pijet joalkoolike për 1,1 për qind.

Në anën tjetër, çmimet e transportit kanë rënë për 2,2 për qind krahasuar me muajin paraprak, ndërsa ato të rekreacionit, sportit dhe kulturës për 1,4 për qind.

Në shtator, inflacioni vjetor në Kosovë kishte arritur në 7,8 për qind.

ASK ka bërë të ditur se të dhënat për tetorin janë publikuar sipas klasifikimit të ri COICOP 2018, me vitin 2025 si vit bazë dhe me metodologji të përditësuar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat