Operacioni i policisë, arrestohen dy persona të kërkuar nga Kosova dhe Italia

Kronikë

Operacioni i policisë, arrestohen dy persona të kërkuar nga Kosova dhe Italia

Më: 27 shtator 2026 Në ora: 12:07
Fotoilustrim

Policia e Shtetit ka vijuar operacionin ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, duke ndaluar në Tiranë dhe në Rinas dy shtetas të kërkuar ndërkombëtarisht, për llogari të autoriteteve të drejtësisë në Itali dhe Kosovë.

Në Tiranë, specialistët e Sektorit për Hetimin e Grupeve Kriminale, në bashkëpunim me DVP Tiranë, kapën dhe arrestuan me qëllim ekstradimi në Itali shtetasin Ervin Dakoli 47 vjeç, lindur në Kavajë. Ndaj tij, Gjykata e Bolonjës ka lëshuar në maj të vitit 2026 një urdhër arresti për pjesëmarrje në bashkëpunim kriminal, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.

Sipas autoriteteve italiane, 47-vjeçari dyshohet se gjatë vitit 2020, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka organizuar dhe kryer blerjen, transportimin, importimin, magazinimin dhe mbajtjen e sasive të mëdha të marijuanës, hashashit dhe kokainës, të trafikuara në Itali për shitje.

Ndërkohë, në Rinas u arrestua me qëllim ekstradimi në Kosovë shtetasi kosovar Hamdi Krasniqi 38 vjeç. Gjykata e Apelit e Pejës e ka dënuar në vitin 2022 me 1 vit e 6 muaj burgim për falsifikim të kartëmonedhave.

Sipas të dhënave të autoriteteve, H. K., në bashkëpunim me persona të tjerë, ka tentuar të hedhë në treg në Pejë rreth 15 mijë dollarë të falsifikuar gjatë vitit 2021.

Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët në Romë dhe Kosovë për finalizimin e procedurave të ekstradimit të dy shtetasve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat