Arrestohet shtetasi i huaj në Prishtinë, kreu blerje online me kartela të huaja

Kronikë

Arrestohet shtetasi i huaj në Prishtinë, kreu blerje online me kartela të huaja

Më: 11 nëntor 2026 Në ora: 16:50
Policia

Policia e Kosovës përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në kuadër të veprimeve hetimore dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar një person për 48 orë, shtetas i huaj, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale ‘’Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit’’ nga neni 301 i KPRK-së, si dhe veprën penale ‘’Hyrja e paautorizuar kompjuterike’’, nga neni 277/D, sipas Ligjit Nr. 08/L-188 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Nr.06/L-074 Penal i Republikës së Kosovës.

Sipas dyshimeve fillestare, personi i dyshuar, përmes ndërhyrjeve të paautorizuara në sistemet kompjuterike, dyshohet se ka keqpërdorur kartelat bankare të shtetasve të huaj, duke kryer blerje të ndryshme përmes platformave online, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm material.

Gjatë realizimit të kontrollit dhe bastisjes në një lokacion në rajonin e Prishtinës, janë sekuestruar pajisje të ndryshme elektronike, përkatësisht dy kompjutera, dy telefona celularë, dy USB, si dhe dokumente të ndryshme, të cilat do të shërbejnë si prova matriale në kuadër të procedurës penale.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim me Policinë e Kosovës, mbeten të përkushtuara në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin”, thuhet në njoftim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat