Përleshje mes katër personave në Vushtrri, dy arrestohen dhe dy të tjerë shpallen në kërkim

Kronikë

Përleshje mes katër personave në Vushtrri, dy arrestohen dhe dy të tjerë shpallen në kërkim

Nga: A.M. Më: 13 nëntor 2026 Në ora: 10:05
Fotoilustrim

Një përleshje mes katër personave ka ndodhur në rrugën “Ismajl Qemali” në Vushtrri, ku si pasojë dy persona janë arrestuar, ndërsa dy të tjerë janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur më 12 nëntor 2026, pas marrjes së informatës për një rrahje mes katër personave. Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ku kanë arritur t'i arrestojnë dy persona të dyshuar.

Sipas policisë, dy të dyshuarit e arrestuar janë dërguar për tretman mjekësor dhe më pas janë shoqëruar në Stacionin Policor në Vushtrri, transmeton “Bota sot”.

Ndërkohë, dy personat e tjerë të përfshirë në rast janë larguar në drejtim të panjohur, por policia ka arritur t'i identifikojë dhe aktualisht janë në kërkim policor.

Pas procedurave të intervistimit, me aktvendim të prokurorit kompetent, dy të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.

Rasti është iniciuar për veprat penale “Sulm” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë së luajtshme”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat