Irritohen nacionalistët maqedonas pse negociatat me Bullgarinë i drejton shqiptari

Maqedonia

Irritohen nacionalistët maqedonas pse negociatat me Bullgarinë i drejton shqiptari

Më: 2 dhjetor 2020 Në ora: 15:59
Dimitar Apasiev

Dimitar Apasiev, kreu i partisë së ekstremit të majtë në Maqedoni, kundërshtare e koalicionit Zoran Zaev-Ali Ahmeti ka kontestuar ashpër negociatat që një ministër i Jashtëm shqiptar, si Bujar Osmani, po udhëheq ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Apasiev, me ironi, ka përdorur faktin invers nëse një maqedonas do të ishte ministër i jashtëm i Shqipërisë e do të negocionte me Turqinë për faktin nëse Skënderbeu është shqiptar apo turk, duke e lidhur me kontestimin që maqedonasit e bullgarët kanë për heronjtë bazik kombëtar siç janë shpikësit e alfabetit cirilik Kirili e Metodi, Goce Dellçev etj, që të dy palët i quajnë heronj.

Por ky postim ka hasur një reagim të ashpër ndër shqiptarët e Maqedonisë, që qëndrimin e Apasievit e konsiderojnë si absurd, ngaqë Maqedonia e Veriut është një shtet qytetar dhe jo etnik.

Postimi i Apasievit

Të nderuar bashkëqytetarë shqiptarë. Imagjinoni këtë situatë: Republika e Shqipërisë të ketë një ministër të jashtëm etnik maqedonas dhe ai, në emër të gjithë shqiptarëve, duke negociuar me Republikën e Turqisë nëse Skënder Begu është shqiptar apo turk? A do të ndjeheni rehat? A nuk do t' ju zhgënjejë kjo?

Pikërisht kështu na bën Bujar OSMANI nga BDI-ja! Në emër të maqedonasve negociohet me bullgarët që ishin Cyril, Metodi, Klement, Naum, Samuel, Goce… Me çfarë të drejtë? Me fuqinë e avokatit të kujt?

Prandaj, të dashur bashkëqytetarë shqiptarë. Tani, në këto momente dramatike, kur në mënyrë të çmendur dhe fshehurazi identiteti ynë në Sofje po shitet, tani është koha ta dënojmë Osmanin dhe të qëndrojmë krah për krah me ne, fqinjët tuaj shekullorë! Vdekja e fashizmit, liria e popullit!”, ka shkruar Apasiev.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat