Angellov: Drejtorët e spitaleve kërkojnë sigurim të përforcuar, kampet me emigrantë kovid rrezik shtesë

Maqedonia

Angellov: Drejtorët e spitaleve kërkojnë sigurim të përforcuar, kampet me emigrantë kovid rrezik shtesë

Më: 3 dhjetor 2020 Në ora: 15:38
Stojançe Angellov

Kemi kërkesë nga drejtorët e spitaleve për ta rritur numrin e pjesëtarëve të Armatës sepse njerëzit ndjehen më të sigurt kur ka ushtri, tha sot ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angellov.

Angellov thekson se Shtabi i Përgjithshëm i Krizave takohet vazhdimisht dhe është i gatshëm të reagojë në çdo kohë, nëse është e nevojshme. Anëtarët e forcave të sigurisë mund të mblidhen për gjysmë ore deri maksimum një ore.

Sipas Angellovit, vendi aktualisht nuk po përballet vetëm me krizën e koronës, por edhe me krizën e emigrantëve. Ekzistojnë informacione se në disa kampe KOVID-i është shumë i përhapur, kështu që çdo hyrje, lëvizje dhe transferim nëpër shtet i personave të këtillë është rrezik shtesë shëndetësor për qytetarët.

“Sot nëpër spitale kemi ushtri dhe polici. Por a ka parë dikush ushtri dhe polici, ndërsa ata megjithatë janë aty. I kam vizituar disa herë për të parë nëse janë në vend. Mund të them se edhe ushtria edhe policia janë për t’i lavdëruar sepse ata i përmbushin detyrimet e tyre në një nivel të lartë. Nuk ka asnjë incident, ku është i përfshirë ndonjë oficer policie ose një pjesëtarë i Armatës që punon për sigurinë”, tha Angellov.

Në këtë moment, theksoi ai, ushtarët tanë, përveç që i sigurojnë kapacitetet shëndetësore si mbështetje për policinë, njëkohësisht janë të sistemuar edhe në kufijtë jugorë dhe veriorë.

“Në këtë moment në vend kemi dy situata krize, njëra është me KOVID-19. Muaji i parë është duke u zhvilluar dhe do të zgjatet për gjashtë muaj të tjerë. Situata e dytë e krizës nuk është në të gjithë territorin, por vetëm në kufirin jugor dhe verior dhe ka të bëjë me emigrantët, me hyrjen dhe transportin e tyre përmes Maqedonisë së Veriut. Emigrantët përveç rrezikut të sigurisë, sjellin edhe infeksion. Kemi informacione se në disa kampe është shumë i përhapur KOVID-19, sepse ata nuk kanë kurrfarë kushte atje, sidomos higjienike, e të mos flasim për distancën. Janë të stërmbushur me njerëz, veçanërisht në disa kampe në Greqi ku numri është disa herë më i lartë se i lejuari dhe transferimi, hyrja dhe dalja e tyre përmes vendit mund të ketë një ndikim negativ jo vetëm në aspektin e sigurisë por edhe në aspektin e përhapjes së KOVID-it”, tha Angellov.

I pyetur nëse ka presion në kufirin jugor, u.d. drejtor i QMK u përgjigj se ka informacion, por kjo është përtej, siç thekson ai, asaj që i lejohet të thotë.

Për shtretër të rinj spitalorë në palestrat sportive si “Boris Trajkovski” dhe asaj në Aerodrom, Angellov tha se nuk merren parasysh tani për tani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat