Vendkalimi dhe ndërtimet pa leje në Bitpazar! Shilegov: Në pranverë do të ketë zgjidhje

Maqedonia

Vendkalimi dhe ndërtimet pa leje në Bitpazar! Shilegov: Në pranverë do të ketë zgjidhje

Më: 31 janar 2021 Në ora: 17:34
Foto ilustrim

Çështja me vendkalimin ilegal, urën e pashfrytëzuar në Bit Pazar, bizneset dhe ndërtimet pa leje që veprojnë aty, deri në pranverë do të ju gjendet zgjidhje, premtuan nga Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Çairit. Edhe pse komunat vazhdimisht i hidhnin fajin njëra-tjetrës se kush i ka kompetencat për zgjidhjen e problemit, i pari i Qytetit të Shkupit Petre Shilegov, tha se nuk kanë qenë fajësime por mendime të ndryshme, ndërkohë që bashkërisht po punojnë në zgjidhjen e problemit.

 “Nuk e fajësojmë njëri-tjetrin, kemi mendime të ndryshme. Konstatuam se duhet një takim mes shërbimeve të komunikacionit të Qytetit dhe Komunës, takimi po realizohet që të në japin një qëndrim të përbashkët dhe nëse konstatojmë që është e panevojshme ura edhe zyrtarisht do ta mbyllim dhe ta lëshojmë në përdorim vendkalimin. Nëse është e kundërta atëherë ta mbyllim Bulveradin. Mendoj se deri në pranverë çështja do të rregullohet”, tha Petre Shilegov – kryetar i Qytetit të Shkupit.

Të njëjtin fat do ta kenë edhe ndërtimet pa leje, tha Shilegov.

 “Lidhur me Kioskën Ali Tobako, po e vërtetojmë statusin se si është ardhur deri tek ajo kioskë aty, a ka leje që është dhënë nga ana e Qytetit dhe atë e shoh si në tërësi, shpresoj se gjithë ajo pjesë ku është në pyetje edhe lëvizja e qytetarëve në pranverë të tejkalohet”, u shpreh kryetari i Qytetit të Shkupit.

E Visar Ganiu, kryetari i komunës së Çairit tha se leja për ndërtimin e kioskave aty nuk është dhënë nga ai.

 “Sa i përket kioskave të Ali Tobakos, Komuna e Çairit nuk ka dhënë asnjë dokument e as kryetari  i tanishëm. Ai ka një dokument i cili ka qenë shumë më herët i nënshkruar nga ish-kryetari i komunës, por si objekt me karakter të përkohshëm. Do të ulemi, të shohim statusin juridik të atij objekti dhe kuptohet çka të ketë nevojë do të ndërmerret dhe do të revidohet”, deklaroi Visar Ganiu – kryetar i Komunës së Çairit.

Lëvizja më e madhe e qytetarëve në vendkalimin ilegal bëhet për të blerë produkte në këto biznese. Objekti i vendosur në trotuar ka tashmë disa vite në atë lokacion, ndërsa të dyja komunat vazhdojnë ta kategorizojnë si  të përkohshme. Në disa paraqitje kreu i Shkupit Shilegov kishte premtuar mbylljen e kalimit ilegal dhe largimin e të gjitha objekteve pa leje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat