“Mospunimi të dielën do të shkaktojë humbje financiare, si dhe vende të punës”

Maqedonia

“Mospunimi të dielën do të shkaktojë humbje financiare, si dhe vende të punës”

Më: 8 mars 2021 Në ora: 18:58
Foto ilustrim

Shpallja e së dielës për ditë jo pune do të shkaktojë humbje financiare në sektorë të caktuar, do ta zvogëlojë produktivitetin dhe konkurrencën e kompanive dhe do t’i detyrojë investitorët e huaj ta rishikojnë vendimin për investime, u theksua në panelin e diskutimit e sotëm të organizuar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë.

Panelistët pajtohen se shpallja e së dielës për ditë jo-pune nuk do t’i japë përfitimet e pritura, por do të shkaktojë probleme në punën e disa sektorëve. Në ndërtimtari do të prolongohen afatet për ndërtim, do të zhvendoset procesi i prodhimit në kompanitë, ndërsa në tregti dhe te bastoret sportive, ku fundjava është periudha kur ka numër më të madh të vizitorëve, do të ketë rënie të fitimit, që do të çojë edhe në largime nga puna të punonjësve.

Vlerësimet janë se në qendrat tregtare rreth 10 për qind e punonjësve do t’i humbasin vendet e tyre të punës, ndërsa në bastoret sportive një e treta e punonjësve do të mbesin pa punë.

“E diela si ditë merr pjesë me rreth 18 për qind në qarkullimin e përgjithshëm të qendrave tregtare. E diela është një nga ditët më të vizituara në qendrat tregtare sepse një pjesë e popullsisë nuk punon të dielave dhe njerëzit kërkojnë aë përdorin kohën e tyre të lirë në këto qendra tregtare të cilat nuk janë vetëm një destinacion për blerje por edhe për argëtim”, theksoi Igor Davkov nga “Skopje Ist Gejt”, e cila po e ndërton qendrën më të madhe tregtare në vend.

Zgjidhja ligjore e propozuar, siç vuri në dukje ai, lejon që disa prej qiramarrësve në qendrën tregtare të punojnë të dielave, ndërsa të tjerët të mos punojnë, gjë që e vë në pikëpyetje justifikimin ekonomik për të punuar të dielave në qendrat tregtare.

Bastoret sportive, puna e të cilave varet kryesisht nga ngjarjet sportive që luhen kryesisht gjatë fundjavës, me zgjidhjen ligjore do të kishte rënie të qarkullimit më shumë se 70 për qind.

Ndërtuesit kërkojnë seriozisht të rishikohet vendimi për mos punim të dielën sepse ata konsiderojnë se kjo do ta rrezikojë zbatimin në kohë të projekteve kapitale.

Mos punimi të dielën do t’i vërë në pikëpyetje edhe vendimet për investime të investitorëve të huaj.

Sipas Viktor Mizo nga “Kostel”, ky do të jetë një sinjal negativ jo vetëm për kompanitë e huaja ekzistuese, por edhe për ato potenciale.

Shpallja e së dielës për ditë jo pune do të shkaktonte problem edhe në industrinë përpunuese ku procesi i prodhimit është 24-orësh dhe nuk lejon ndërprerje të punës.

Punëdhënësit nuk kanë asgjë kundër inspektimeve të intensifikuara, ndërsa në lidhje me atë se cila ditë të jetë e lirë, nëse punohet të dielave, ata mendojnë se kjo duhet t’u lihet atyre.

Versioni i fundit i ligjit parashikon propozimi që e diela të jetë ditë jo-pune të fillojë të zbatohet nga shtatori.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat