Osmani: Ende probleme me regjistrimin e shtetasve në diasporë

Maqedonia

Osmani: Ende probleme me regjistrimin e shtetasve në diasporë

Më: 10 mars 2021 Në ora: 19:24
Ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani

Ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani në një intervistë për Zërin e Amerikës, duke folur për regjistrimin online të shtetasve në diasporë, thotë se procesi po shkon mirë në vendet evropiane por jo dhe aq mirë në vendet tejoqeanike. Për këtë, ai e shikon arsyen tek mungesa e informimit të diasporës. Zoti Osmani thotë se kundërshtimi që po i bën opozita censusit mund të ketë ndikime, ndërsa (Osmani) është kategorik se nuk mund të ketë mashtrime dhe manipulim me shifrat e banorëve.

Ministri i jashtëm Bujar Osmani thotë se regjistrimi i popullsisë jashtë vendit ndodh për herë të parë prandaj e karakterizon këtë proces si historik, teksa regjistrimin mund ta bëjnë vetë pjesëtarët e mërgatës përmes aplikacionit online por edhe familjarët e tyre në vendindje.

“Ose nga kushdo që i di të dhënat e atyre të cilët jetojnë jashtë, mund të regjistrohen. Procesi po zhvillohet mirë. Deri tani janë regjistruar diku rreth 45 mijë qytetarë tanë në diasporë, në të gjitha kontinentet. Në nuk mund ta dimë se sa mund të jetë numri i përgjithshëm për shkak se asnjëherë nuk është bërë regjistrimi i të gjithë diasporës sonë, por mund të thuhet se këto shifra janë ndoshta 10 – 20 përqind nga popullata që duhet të regjistrohet”, thekson ministri.

Zoti Osmani si ministër i jashtëm i ngarkuar edhe me çështjen e diasporës është përfshirë në një fushatë për njoftimin e shtetasve jashtë vendit lidhur me rëndësinë e censusit, duke udhëtuar personalisht në disa vende të Evropës për takime me ta. Ai pohon se ka vështirësi të natyrës teknike por para së gjithash diaspora përballet me mungesë informacioni për mënyrën e regjistrimit. Ndërkaq, çështja e gjuhës, sipas ministrit të jashtëm, nuk paraqet problem këtu:

“Mund të regjistrohen njerëzit në tetë gjuhë, që janë opsionale apo që mund të zgjidhen nga qytetarët. Shtatë janë gjuhë të Maqedonisë së Veriut, dmth. maqedonisht, shqip, serbisht, boshnjakisht, turqisht, etj. dhe anglisht. Anglishta është vënë me qëllim, për shkak se ka njerëz tanë kryesishët të gjeneratës së re që jetojnë jashtë dhe më mirë komunikojnë në gjuhën angleze se sa ndonjë prej gjuhëve vendore këtu. Ka një keqkuptim në faktin se për të filluar procesi i vetëregjistrimit duhet fillimisht të regjistroheni në sistem. Dhe njerëzit e keqkuptojnë regjistrimin në sistem dhe regjistrimin në procesin e regjistrimit. Fillimisht duhet të jepni emrin, një adresë e-maili dhe në adresën tuaj të vijë një kod. Ky proces quhet ‘kyçje’ në sistem ose regjistrim në sistem. Dhe pastaj, me atë kod të cilin e merrni në adresën tuaj elektronike futeni në web faqe dhe filloni t’i jipni përgjigjet e kërkuara. Dhe, e dyta ku bëhen gabime më të shpeshta është se pasi të shkruhet numri amzë (personal) i qytetarit, tek emri i vendit (shtetit), njerëzit shkruajnë vendin ku jetojnë.Nuk përputhet numri amzë i Maqedonisë së Veriut me vendin ku ata jetojnë, por duhet të shkruhet Maqedoni e Veriut dhe atëherë menjëherë pranohet numri amzë i qytetarit dhe më pas vazhdohet më tutje”, sqaron Osmani.

Ministria e jashtme ka hapur linja të posaçme telefonike, siç ka bërë dhe Enti Shtetëror i Statistikave për t’iu dalë në ndihmë këtyre njerëzve të cilët përballen me probleme teknike.

Zoti Osmani thotë se censusi nuk duhet politizuar dhe se si gjithkund në botë të dhënat nga ky proces shfrytëzohen për bërjen e politikave ekonomike, arsimore, e shëndetësore.

"Në Maqedoni përveç politikave shëndetësore, arsimore, ekonomike, edhe vetë politika përcaktohet nga numrat, të cilat dalin nga regjisrimi për shkak se sistemi ynë politik është i organizuar me Marrëveshjen e Ohrit, kështu që të drejtat kolektive lidhen me përqindjen e komunitetit që jeton këtu dhe kjo i jep një dimension tjetër regjistrimit tek ne. Një prej arsyeve kryesore pse nuk kemi regjistrim në njëzet vjetët e fundit është se a duhet të regjistrohet diaspora dhe si duhet të regjistrohet e të numërohet diaspora. Për këtë arsye dështoi në vitin 2011. Njerëzit që jetojnë këtu, do të numërohen si popullatë rezidente, për shkak se ata na duhen për zhvillimin e politikave. Numrin e shkollave, spitaleve duhet t’i përshtatni me numrin e popullatës që jeton këtu; me ata njerëz që do të marrin shërbime. Diaspora do të jetë pjesë e një kolone tjetër, popullatë jorezidente, kurse numri i përgjithshëm i popullatës do të jetë shuma e popullatës rezidente dhe jorezidente. Kur të prezentohen numrat, sa kemi maqedonas, sa shqiptarë, turq etj. do të merret shuma e popullatës që jeton këtu dhe e diasporës sonë, që mendoj se është e drejtë, për shkak se diaspora është pjesë e pandashme e vendit tonë”, thotë ministri Osmani.

Lidhur me shqetësimet e opozitës maqedonase të drejtuar nga VMRO-DPMNE për manipulime të censusit dhe angazhimin e partisë që përmes nënshkrimeve të qytetarëve t’i kundërvihet procesit të regjistrimit, kryediplomati Osmani thotë se kjo mund të krijojë huti tek njerëzit që janë ndjekës të politikave të asaj partie.

“Kemi dy variante paralele të regjistrimit të cilat kontrollojnë njëra-tjetrën: regjistrimi elektronik dhe ai tradicional, shtëpi më shtëpi. Cilëndo të dhënë që mund t’ua japë qytetari gjatë vizitës në shtëpinë e tij, ju e kontrolloni nëpërmjet bazës së të dhënave elektronike nga të gjitha institucionet të cilat i kanë këto të dhëna. Kështu që, nuk ka mundësi të regjistroni një person më tepër, por ka mundësi të regjistrohet një më pak nëse ai nuk pranon të regjistrohet, apo nuk është i interesuar. Prandaj, qytetarët duhet të jenë të vëmendshëm dhe aktivë.Regjistrimi është një gjë shumë më e madhe dhe shumë më strategjike se sa disa pika politike që mund të përfitojë opozita nga një qëndrim i tillë”, thotë zoti Osmani./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat