Një vit që kur COVID-19 u shpall pandemi, në Maqedoni 109.262 të infektuar

Maqedonia

Një vit që kur COVID-19 u shpall pandemi, në Maqedoni 109.262 të infektuar

Më: 11 mars 2021 Në ora: 11:33
Foto Ilustrim

Më 11 mars të viti të kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli virusin COVID-19 si pandemi globale.

Në një konferencë për media, shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, u shpreh i shqetësuar për përmasat që virusi SARS-COV-2 kishte marrë.

Deri atë ditë, zyrtarisht ishin regjistruar mbi 118.000 raste me COVID në 115 vende, ndërsa kishin humbur jetën 4291 njerëz.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar për përmasat alarmante të përhapjes, seriozitetin e gjendjes dhe nivelin alarmues të paaftësisë në luftën kundër virusit. Ne mendojmë, që në ditët e javët e ardhshme numri mund të rritet”, deklaroi si sot një vit më parë kreu i OBSH-së.

Tedros dha alarmin dhe kërkoi nga të gjitha vendet që të testojnë dhe izolojnë të gjitha rastet në mënyrë që sëmundja të vihej në kontroll.

Një vit më vonë, numri i njerëzve që vdiqën në të gjithë botën, për shkak të llojit të ri të koronavirusit (COVID-19) arriti në 2 milionë e 632 mijë e 74, ndërkaq numri i rasteve arriti në 118 milionë e 638 mijë dhe numri i të shëruarve u rrit në 94.228.506.

Në Maqedoninë e Veriut, rasti i parë nga Covid-19 u regjistruar më 26 shkurt 2020. Që nga fillimi i pandemisë, janë infektuar 109.262 persona. Prej tyre janë shëruar 96.176 pacientë, ndërkaq jetën e kanë humbur 3.244 të tjerë.

Numri i rasteve aktive ka arritur në 9.845 të infektuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat