Agjencitë turistike me humbje prej mbi 80%, edhe ata do të protestojnë të hënën

Maqedonia

Agjencitë turistike me humbje prej mbi 80%, edhe ata do të protestojnë të hënën

Më: 16 prill 2021 Në ora: 13:53
Ilustrim

Agjencitë turistike kanë ulje të përfitimit prej 80 deri në 100 për qind, interesimi për udhëtim është në minimum, ndërsa realizimi i aranzhmaneve të bëra është i pasigurt për shkak të ndryshimit të përditshëm të vendimeve në shtete për shkak të pandemisë. I kanë dorëzuar tri kërkesa në Qeveri dhe paralajmërojnë se të martën do t’i bashkohen protestës së hotelierëve.

“Interesimi për të udhëtuar është në minimum, thuajse nuk ekziston. Ulja e fitimit tek të gjitha agjencitë turistike është mbi 80 për qind, ndërsa tek pjesa e madhe edhe 100 për qind. Viti 2021 ishte vit në të cilin të gjithë shpresonin se do t’i kthehemi normalitetit megjithatë për fat të keq i njëjti u dëshmua më i keq se viti i kaluar. Ndihmë të vazhdueshme nga shteti nuk ka. E shohim se çfarë po ndodhë në pakon e pestë të masave dhe këtë nuk mund ta durojmë”, deklaroi sot në konferencë shtypi, Ana Maria Aleksova nga Oda Turistiko-hotelierike.

Agjencitë turistike kërkojnë ndihmë të pakthyeshme urgjente nga Qeveria dhe vauçerët nga fushata “Pushime në vend” të shfrytëzohen në mënyrë të obligueshme përmes agjencive turistike. Kërkojnë të ndryshojë edhe vendimi për vauçerët për udhëtimet e parealizuara për shkak të krizës kovidiane, gjegjësisht në vend se deri më 31 dhjetor të këtij viti, vleftshmëria e këtyre vauçerëve të shtyhet deri më 31 dhjetor 2022.

Kërkesat, siç theksoi Aleksova, janë reale dhe të bazuara në dëmet e mëdha që i pëson ky sektor gjatë krizës së koronavirusit.

“Kjo na nevojitet për të mbijetuar në këtë kohë”, potencoi Aleksova.

Për shkak të situatës aktuale me krizën e koronavirusit, siç theksoi, i pasigurt është realizimi i aranzhmaneve. Oferta ka vetëm për Shqipërinë, ndërsa për Turqinë ku aktualisht kërkohet test PCR, situata është e pasigurt pasi vendimet ndryshojnë çdo ditë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat