31 milionë euro për mbështetje të 60 mijë pagave! Kompanitë mund të aplikojnë deri më 30 prill

Maqedonia

31 milionë euro për mbështetje të 60 mijë pagave! Kompanitë mund të aplikojnë deri më 30 prill

Më: 20 prill 2021 Në ora: 20:30
Ilustrim

Nga sot e deri më 30 prill, kompanitë dhe veprimtaritë e pavarura do të mund të aplikojnë për subvencione për rrogat e muajit shkurt dhe mars. Ministri i Financave Fatmir Besimi tregoi se 31 milionë euro janë ndarë për pagesën e rrogave të 60 mijë punëtorëve. Subvencionet variojnë nga 14,500 deri në 21,700 denarë në muaj.

Për të përfituar nga kjo masë, punëdhënësi duhet të dorëzojë kërkesë në Drejtorinë e të Ardhurave Publike përmes sistemit “e-Danoci” (e-Tatime). Përgjigje merr brenda 3 ditësh nëse kërkesa është e kompletuar ose jo. Drejtoresha e DAP, Sanja Llukarevska, shpjegoi kushtet që aplikuesi duhet të përmbushë.

 “Punëdhënësi duhet të ketë së paku 30% rënie të të ardhurave, të mos bëhet pagesë për dividendë dhe shpërblime për sukses në veprimtari, punëtori të mos ketë fituar rrogë neto më të madhe se 39,900 denarë në 4 muajt e fundit, punëdhënësi të mos paguajë rrogë më të lartë se 120 mijë denarë për muajin për të cilin kërkohet mbështetja financiare për më shumë se 10% nga numri i përgjithshëm i të punësuarve”, potencoi Sanja Llukarevska – drejtoresh e Drejtorisë për të Ardhura Publike.

Një masë tjetër nga pakoja e 5-të për të cilën së shpejti kompanitë do të mund të aplikojnë ka të bëjë me linjë pa kamatë përmes Bankës për Zhvillim për të cilën janë ndarë 10 milionë euro. Në këtë kompanitë do të mund të aplikojnë për kredi nga 3 deri në 30 mijë euro, ndërsa është paraparë për ato firma që do të rrisin numrin e të punësuarve ose fitimin si pjesë e kredisë pa kamatë t’u transformohet në grant.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat