Osmani: Jemi të shqetësuar për non-papers, angazhim i shtuar diplomatik për të sjellë këtë mesazh

Maqedonia

Osmani: Jemi të shqetësuar për non-papers, angazhim i shtuar diplomatik për të sjellë këtë mesazh

Më: 3 maj 2021 Në ora: 08:36
Bujar Osmani

Për të marrë sërish mbështetjen e Gjermanisë për çeljen zyrtare të negociatave me BE-në, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani qëndron të hënën (03.05) në Berlin.    

Deutsche Welle: Zoti Osmani, cili është qëllimi i vizitës suaj në Berlin?

Bujar Osmani: Është vizita ime e parë bilaterale fizike, meqë takimin e parë me ministrin Maas e kemi pasur në mënyrë virtuale. Këtë vit shënojmë 28 vjet nga nisja e marrëdhënieve diplomatike me Gjermaninë. Kemi raporte të ngushta politike. Kemi një vëllim të madh tregtar. Të gjitha këto janë parakushte për t'i shndërruar këto marrëdhënie në një partneritet strategjik. Por qëllimi kryesor pse jam këtu është për të biseduar për dosjen tonë evropiane, implementimin e vendimit të marsit për çeljen e bisedimeve, për arsye se Gjermania kishte bërë përpjekje të jashtëzakonshme gjatë presidencës së saj për të mundësuar këtë vendim, dhe po e vazhdon të njëjtën edhe tani në kuadër të trojkës me presidencën portugeze.

Ju aktualisht bllokoheni nga Bullgaria. A mendoni se Bullgaria mund ta ndryshojë vendimin edhe në këtë situatë politike në të cilën ajo ndodhet tani pas zgjedhjeve?

Zgjedhjet jo vetëm në Bullgari, por edhe në Maqedoninë e Veriut nuk ndikuan pozitivisht në tejkalimin e dallimeve që ekzistojnë mes dy vendeve tona. Ne kishim pritje se pas zgjedhjeve në Bullgari do të formoheshin shpejt institucionet dhe do të hynim në një dialog më intensiv politik për të arritur konsensusin në KE për kornizën negociuese. Për fat të keq atje po shkohet në zgjedhje të parakohshme, sipas paralajmërimeve diku në korrik. Kjo do ta ngushtojë mundësinë për një dialog substancial. Unë e shoh samitin e qershorit të BE-së si një mundësi të artë për të filluar bisedimet si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për Shqipërinë, prandaj mendoj se duhet të gjejmë një mënyrë të bisedojmë me qeverinë tranzitore dhe teknike atje dhe të gjithë miqtë që mos ta lëshojmë këtë mundësi për shkak se kam frikë se mundësitë e ardhshme janë edhe më të pakta për të marrë një vendim të tillë.

Çfarë mund të bëjë Gjermania konkretisht?

Gjermania ka qenë jashtëzakonisht e angazhuar gjatë presidencës së.saj. Ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme. Për fat të keq situata ishte e tillë që nuk mundi të gjente një zgjidhje. Gjermania po vazhdon të bëjë këto përpjekje edhe në kuadër të treshes me presidencën portugeze. Unë kam ardhur këtu për të kërkuar që të vazhdojë kjo mbështetje e zëshme. Por edhe nga vendet e tjera se e shoh samitin si një  mundësi, të cilën nuk guxojmë ta lëshojmë.

Një temë në bisedimet tuaja në Berlin është edhe situata në rajon. Në prag të rifillimit të bisedimeve Kosovë-Serbi kanë nisur të qarkullojnë dy dokumente jozyrtare, "nonpapers", ku jepen ide për zgjidhjen e çështjeve të hapura në Ballkanin Perëndimor. A jeni të shqetësuar se mund të ketë konflikte të reja?

Jemi të shqetësuar dhe prandaj është ky angazhim i shtuar diplomatik për të sjellë këtë mesazh: Do të duhet patjetër të ngushtojmë hapësirën për shpërndarjen e këtyre non-paper-ve. Këto kanë gjetur hapësirë për shkak të mesazheve jo të qarta të Bashkimit Evropian sa i takon perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor. Sa më të qarta të jenë mesazhet, sa më i fuqishëm të jetë  kredibiliteti i BE-së në rajon, aq më e ngushtë është hapësira që të dalin në shprehje dokumente të tilla. Pra, ajo që duhet bërë urgjentisht është që të fillojnë bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë me BE-në dhe me këtë të ngushtojmë dukshëm mundësinë për manovra të tilla. Dhe të përshpejtohet dialogu, në mënyrë që të ndërpritet status-quo-ja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, që të nisë një dinamikë e re e rrugëtimit të të gjitha vendeve të  Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian.

Udhëheqja e Kosovës nuk e ka prioritet dialogun me Serbinë. A pajtoheni ju me këtë qëndrim?

Kosova dhe Serbia janë shtete sovrane dhe ato vendosin për fatin e dialogut dhe epilogun e dialogut. Ne, si vend anëtar  i NATOs në rajon kemi për detyrë të kontribuojmë në stabilitetin e përgjithshëm rajonal. Por statusquoja në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk e ndihmon këtë stabilitet rajonal. Kjo po dëshmohet tani me këto përpjekje për të dhënë ide, të cilat mund të ngatërrojnë edhe më tepër rajonin dhe të sfidojnë paqen. Prandaj kujtoj se këto dy vendime janë urgjente: Vendimi për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe intensifikimi i dialogut me qëllim qe të ndërpritet statusquoja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë

Ky vit shënon edhe 20 vjetorin e luftës së Maqedonisë, kur shqiptaret u ngritën për të drejtat e tyre. Cili është bilanci juaj?

Marrëveshja e Ohrit ndryshoi kornizën e rendit të brendshëm në Maqedoni. Maqedonia paraprakisht ishte ndërtuar për të qenë ekskluzive për një komunitet dhe u riformatua për të përfshirë të gjitha komunitetet, duhet që edhe qytetaret dhe komunitetet të jenë të barabartë. Natyrisht gjatë kësaj periudhe 20-vjeçare janë bërë ndryshime shumë të mëdha, pozicioni i shqiptarëve ka ndryshuar dukshëm, por jo vetëm i shqiptarëve. Natyrisht se ka mbetur ende shumë punë për t'u bërë, mirëpo pozita e komuniteteve është e transformuar nga ajo që kishim para 20 viteve./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat