Negociatat/ Osmani: Maqedonia dhe Shqipëria nuk do të ndahen

Maqedonia

Negociatat/ Osmani: Maqedonia dhe Shqipëria nuk do të ndahen

Më: 9 maj 2021 Në ora: 07:02
Bujar Osmani

A do të marrë Maqedonia më në fund dritë jeshile për çeljen e negociatave aderuese me BE-në? Kryeministri Zoran Zaev të hënën do të udhëtojë në Bruksel për ta takuar kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen. Në këtë takim pritet që temë bisedimi të jenë edhe deklaratat e fundit të eurokomisionarit për zgjerim, Oliver Varheji, i cili tha se ka gjasa të ndahen proceset e Maqedonisë dhe Shqipërisë për anëtarësim në BE. Por, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani beson se Maqedonia dhe Shqipëria nuk do të ndahen në rrugën e tyre drejt Unionit dhe se debati që zhvillohet në opinion publik është i gabuar.  

“Së pari, mendoj se debati i cili bëhet në opinionin publik është i gabuar. Këtu nuk bëhet fjalë për atë nëse Shqipëria do t’i fillojë negociatat apo jo, kjo është çështje e Shqipërisë. Ne e parashtrojmë pyetjen – nëse ne duhet t’i fillojmë negociatat”, theksoi Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme. 

I pyetur nëse do të jetë më e vështirë që vendi ynë t’i hapë negociatat nëse ndahet, Osmani me përgjigje:   

“Kjo nuk lidhet me Shqipërinë. Nëse do të qëndrojmë në atë proces për një kohë të gjatë do të varet nga ajo nëse të gjitha vendet-anëtare do ta mbështesin fillimin e negociatave, nëse Bullgaria do ta heqë veton, pavarësisht nëse Shqipëria i fillon apo jo. Kjo varet vetëm nga fakti nëse Bullgaria jep pajtim për kornizën negociuese dhe mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare, pa pasur ndonjë korrelacion me atë se cila është rruga e Shqipërisë”, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Osmani shton se problemi me Bullgarinë mund të tejkalohet edhe me një Qeveri teknike bullgare dhe me Konferencën Ndërqeveritare t’i hapim negociatat në qershor.

“Vendim teknik për një Qeveri teknike është shumë i përshtatshëm për mua. Prandaj, unë konsideroj se nuk duhet të heqim dorë nga mundësia e mbajtjes së asaj konference ndërqeveritare në qershor dhe t’i fillojmë bisedimet me Qeverinë teknike për të gjetur një zgjidhje teknike që të fillojë procesi teknik për start të negociatave, proces për të cilin tashmë ka vendim politik dhe me mbështetjen e Bullgarisë nga marsi i vitit të kaluar”, shtoi Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.

Ndryshe, detajet dhe temat për të cilat do të bisedojnë kryetarja e Komisionit Evropian Fon der Llajen dhe kryeministri Zaev, Qeveria do t’i kumtojë nesër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat