Opozita thotë se ka arritur marrëveshje për një shumicë të re parlamentare

Maqedonia

Opozita thotë se ka arritur marrëveshje për një shumicë të re parlamentare

Më: 6 nëntor 2021 Në ora: 06:14
Foto e publikuar ne rrjetet sociale

Drejtuesi opozitar maqedonas, Hristijan Mickovski, shkroi në rrjetin Facebook se është arritur marrëveshja për një shumicë të re parlamentare.

Ai nxori edhe një fotografi ku duken së bashku me Sekretarin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, kryetarin e Alternativës, Afrim Gashi, kryetarin e partisë E Majta, Dimitar Apasiev dhe Sekretarin e Lëvizjes Besa, Arianit Hoxha.

“Po vjen një e ardhme e re, një kohë e re dhe shpresë e re. Na presin sfida të forta; të vetëdijshëm për mbështetjen, së bashku do t’ia dalim”, shkroi ai në postimin e tij.

Shumica e pjesëmarrësve në këtë takim kanë pohuar po ashtu arritjen e marrëveshjes. Ndërkohë, Lidhja Social Demokrate dhe BDI-ja ende nuk kanë bërë komente.

Gjatë ditës së premte, kreu i VMRO-së, Mickovski kishte njoftuar se po mblidhte nënshkrimet e deputetëve për shumicën e re. Aleanca dhe Alternativa (ASH-A), të cilët dolën në koalicion me VMRO-në në zgjedhjet e fundit lokale, patën pohuar që në kohën e fushatës se “do të formonin një shumicë të re parlamentare pa Bashkimin Demokratik për Integrim”. ASH-A kanë 12 vende në parlament; Lëvizja Besa, 3. E majta ka 2 ligjvënës, ndërsa VMRO-ja, 44.

Këto zhvillime janë rrjedhojë e dorëheqjes së paralajmëruar nga kryeministri Zoran Zaev, menjëherë pas mbylljes së kutive të votimit në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, më 31 tetor, megjithëse, ai ende nuk e ka dorëzuar atë në parlament.

Kabineti i Presidentit të vendit, Stevo Pendarovski, u ka thënë para pak ditësh mjeteve të informimit se Presidenti, në rast se miratohet dorëheqja e zotit Zaev në parlament, do t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë atij që garanton formimin e shumicës parlamentare (prej 61 deputetësh në parlamentin me 120 vende).

Nga ana tjetër, një pjesë e ekspertëve dhe analistëve vlerëson se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë të pashmangshme.

Me gjithë fitoren e thellë të VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet e fundit lokale, partitë e koalicionit qeveritar kanë më shumë vota në shkallë vendi. Vetëm BDI-ja mori mbi 105 mijë vota për listat e anëtarëve të Këshillave Komunalë, ndërsa Aleanca me Alternativën pak mbi 50 mijë sosh.

Image
Foto e publikuar ne rrjetet sociale
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat