Mickoski: Ngrohja do të rritet për dy herë e gjysmë/ KRE bën thirrje të mos jepen informacione të pasakta

Maqedonia

Mickoski: Ngrohja do të rritet për dy herë e gjysmë/ KRE bën thirrje të mos jepen informacione të pasakta

Më: 18 nëntor 2021 Në ora: 22:36
Foto ilustrim

Lideri i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickoski paralajmëroi se çmimi i ngrohjes qendrore në Shkup pas Vitit të Ri do të rritet për dy herë e gjysmë. Ai thotë se kompanitë nga biznesi i ngrohjes nuk kanë mjaftueshëm gaz natyror dhe se çmimi i tij në bursa po rritet seriozisht. Prandaj Mickoski vlerëson se shteti duhet të ndihmojë dhe të parandalojë një goditje të re çmimesh. Kompanitë thonë se mund të blejnë gaz, por tani është tre herë më i shtrenjtë se gazi natyror që është blerë para gjashtë muajve kur u formua çmimi për qytetarët.

“Çmimi për ngrohjen e shkupjanëve duhet të rritet së paku dy herë e gjysmë, sepse 70% në atë çmim merr pjesë gazi. Në pyetjen për Rregullatorët se si do ta zgjidhim këtë, thonë se mungojnë 25 milionë euro. Nëse shteti na jep 25 milionë euro subvencione, atëherë çmimi për ngrohje nuk do të rritet për dy herë e gjysmë për qytetarët e Shkupit që janë në rrjetin BEG. Ndërsa është e pamundur që shteti t’i japë 25 milionë euro një kompanie private”- deklaroi Hristijan Mickoski – Kryetarë i VMRO-DPMNE-së.

Pretendimin e Mickoskit por edhe qëndrimin se kompanitë kanë gaz vetëm edhe për një muaj e gjysmë, e ka mohuar kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Makrko Bislimovski. Ai pohon se kompanitë kanë gaz të mjaftueshëm edhe për pas Vitit të Ri dhe qytetarët nuk duhet të kenë frikë se çmimi i ngrohjes do të rritet ndjeshëm.

“U bëj thirrje të gjitha palëve në sektorin e energjetikës, u bëj thirrje politikanëve, ekspertëve, spekulantëve dhe amatorëve të ndryshëm që paraqiten si ekspertë që të mos japin informacione të pasakta. Të gjitha këto informacione që thuhen ne do i mbajmë mend dhe besoj se dikush do duhet t’i kërkojë falje dikujt pas 1 janarit. Edhe njëherë e theksoj se do të ketë gaz natyror për furnizim me ngrohje”- pohoi Marko Bislimovski Kryetar i KRE.

Alsat kërkoi qëndrim nga Balkan Energy Group, por nga aty nuk deshën të komentojnë. Nga Qeveria thonë se janë duke e ndjekur situatën dhe nëse do jetë e nevojshme të marrin masa të reja në këtë krizë energjetike, atë do e bëjnë. Në bursat botërore në muajt e fundit, përveç rritjes së çmimit të energjisë elektrike, ka rritje të vazhdueshme edhe të çmimit të gazit natyror.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat