Dhuna ndaj grave në Maqedoni, fenomen që nuk asgjësohet

Maqedonia

Dhuna ndaj grave në Maqedoni, fenomen që nuk asgjësohet

Më: 26 nëntor 2021 Në ora: 19:12
Foto ilustrim

E mërkura e kësaj jave shënoi Ditën Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj Grave, e cila njëherë shënoi dhe fillimin e fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës ndaj Grave”. Ndërkaq, dhuna ndaj grave është një akt i pajustifikuar kundër të cilës asnjë institucion nuk ka mundur të luftojë deri më tani. Dhuna ndaj grave është një nga fenomenet me të rënda, me cilin përballet sot shoqëria jonë. Ajo është e përhapur kudo, si nga pikëpamja fizike, ashtu dhe nga ajo psikologjike. Fenomeni i dhunës së grave edhe sot e kësaj dite nuk është asgjësuar dhe fatkeqësisht vazhdon akoma të qëndroj aktiv në mesin tonë duke thyer dhe diskriminuar lëvizjet dhe veprimtaritë e integritetit të grave.

Aktivistja për të drejtat e grave, Adelina Marku, për gazetën KOHA, shprehet se ajo është vazhdimisht pjesë e fushatave kundër dhunës në përgjithësi e sidomos dhunës ndaj grave. “Dhuna në shoqërinë tonë, megjithatë tregon tendence rritjeje. Atëherë, problemin e shoh në dy instanca. E para në dogmën fetare, pra te klerikët fetarë, sidomos imamët e shkollave fetare, që ende e konsiderojnë për turp edukimin seksual në shkolla. Ky interpretim prodhon sociologji dhune në familje. E dyta, është te shërbimet institucionale dhe tek ekonomia e rënduar në shoqëri. Në spitalet tona ka një golgote pritjesh burokratike”, shprehet ajo. Sipas saj, kjo shkakton revoltë dhe mllef te qytetarët,dhe kjo antikulturë krijon dhunë. “Problemi pra qëndron tek mendja e indoktrinuar nga dogmat përjashtuese dhe nga sistemi ynë i korruptuar ne vazhdimësi”, ka deklaruar Marku.

Poashtu edhe profesoresha universitare, Vedije Ratkoceri, thotë se shpresëdhënëse është inkuadrimi i gjeneratave të reja të cilat gjithnjë e më shumë po bëhen pjesë e organizatave që merren me këto çështje dhe që ngritin zërin për parandalim të dhunës ndaj grave.

“Konsideroj se aktivizmi i grave për barazi gjinore dhe për parandalim të dhunës ndaj grave lë për të dëshiruar. Trumbetime për këto problematika në rrjete sociale kemi shumë, sidomos në kuadër të këtyre ditëve kur edhe shënohen 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës ndaj grave por kjo realisht nuk është aktivizëm. Shpresëdhënëse është inkuadrimi i gjeneratave të reja të cilat gjithnjë e më shumë po bëhen pjesë e organizatave që merren me këto çështje dhe po ngritin zërin për parandalim të dhunës ndaj grave duke iu dhënë edhe ndihmë konkrete viktimave mirëpo kjo nuk mjafton. Problematikë tjetër në këtë drejtim konsideroj edhe faktin për të ndaluar dhunën ndaj grave duhet të luftojnë të gjithë, pa marrë parasysh gjininë, andaj mungesa e aktivizmit dhe trajtimit të këtyre çështjeve edhe nga gjinia mashkullore e rëndon edhe më shumë situatën. Dhuna është dhunë dhe luftimi i së njëjtës nuk i takon njërës gjini apo tjetrës por duhet të jetë luftë e përbashkët kundër një të keqeje shoqërore”, thotë Ratkoceri.

Dhuna ndaj grave ekziston, si brenda ashtu edhe jashtë familjes, e manifestuar në të gjitha format e saj, si dhuna fizike, psikike, seksuale e ekonomike mirëpo numri i errët i këtyre rasteve është shumë i lartë. Gratë nuk e raportojnë dhunën për shumë arsye por më e rëndësishmja është mungesa e besimit në institucionet shtetërore dhe kjo është vërtetë për të ardhur keq.

Ndërsa aktivistja Rita Behadini deklaron se në shoqërinë tonë dhuna ndaj femrave vazhdon akoma, pasi që gratë akoma nuk kanë status të pavarur si në aspektin social por edhe në atë ekonomik. “Dhunë ndaj vajzave ushtrohet që në embrion. Ndonëse shteti nuk ka të dhëna, në momentin kur kuptohet që fryti është vajzë, të njëjtat abortohen. Dhuna vazhdon pastaj në mënyrën se si vajzat rriten, për të përfunduar në fund pa pronën që ju takon. Sado e parëndësishme të duket kjo në shikim të parë, janë pikërisht këto arsyet që sjellin dhunën. Ligjet e mbrojnë viktimën, por ligjet nuk implementohen. Gratë e dhunuara në vendin tonë i kthehen dhunuesit për shkak të mungesës së pavarësisë ekonomike, mungesës së drejtësisë dhe patriarkatit”, deklaron Behadini.

Sipas të dhënave të fundit rreth 8,000 raste janë raportuar gjatë vitit të kaluar ndërkaq ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhunës në familje në vendin tonë është miratuar në 27 janar në fillim të këtij viti. Përkatësisht ligji ka hyrë në fuqi më 6 maj, 2021. Gjendja aktuale e grave viktima të dhunës sipas numrit të të raportuarve është shqetësuese, sidomos duke ditur faktin se sigurisht që ka edhe shumë situata të padeklaruara që më tej paraqesin kërcënim për sigurinë dhe mbrojtjen e grave nga dhuna. Ligji i miratuar më në fund duhet të fillojë të funksionojë në fushën e tij për të ulur përqindjen e dhunës në Maqedoninë e Veriut. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat