Maqedonia e Veriut në vendin e 87-të në listën e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International

Maqedonia

Maqedonia e Veriut në vendin e 87-të në listën e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International

Më: 25 janar 2022 Në ora: 11:38
Foto ilustrim

Republika e Maqedonisë së Veriut në listën sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International për vitin 2021 është në vendin e 87-të nga 180 vende të renditura, me 39 nga 100 pikë të mundshme, që është një rritje prej katër pikësh dhe një kërcim prej 24 vende krahasuar me vitin e kaluar.

Megjithatë, vendi mbetet nën mesataren globale prej 43 pikësh, së bashku me dy të tretat e të gjitha vendeve të renditura.

Drejtoresha e Transparency International – Maqedoni, Slagjana Taseva, duke i prezantuar të gjeturat e ITI-së për vitin 2021 në konferencën e sotme për media, tha se jemi përmirësuar, por nuk do të thotë se është shumë mirë dhe rezultati është ende i ulët dhe jemi shumë larg nga ajo çfarë ishim në vitin 2015, kur ishim në vendin e 66-të.

Mesatarja globale e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit ka mbetur e pandryshuar për dhjetë vitet e fundit me 43 nga 100 pikë të mundshme. Megjithë një numër të madh përpjekjesh, 131 vende nuk kanë bërë asnjë përparim të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit në dekadën e fundit, ndërsa dy të tretat e 180 vendeve kanë nën 50 pikë, që do të thotë se kanë probleme serioze me korrupsionin, dhe 27 vende janë në nivelin e tyre më të ulët të të gjitha kohërave.

Maqedonia e Veriut renditet në vendin e 87-të këtë vit me Kosovën, Kolumbinë, Etiopinë, Guajanën, Marokun, Surinamin, Tanzaninë dhe Vietnamin.

Vendin e parë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit e ndajnë Danimarka, Finlanda dhe Zelanda e Re me 88 pikë, ndërsa në vendin e 180 është Sudani i Jugut me 11 pikë.

Nga vendet e rajonit më së miri renditet Sllovenia, e cila është në vendin e 41-të me 57 pikë, ndërsa ka një rënie prej gjashtë vendesh në krahasim me vitin 2020, kur ishte në pozitën e 35-të. Pas saj vjen Greqia, e cila është në vendin e 58-të me 49 pikë, që është një rritje prej një vendi në krahasim me vitin 2020.

Kroacia është e pandryshuar në vendin e 63-të me të njëjtat 47 pikë si vitin e kaluar.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat