Mexhiti kujton projektin e nisur para 20 vjetësh: Shkolla “Kongresi i Manastirit”, histori suksesi

Maqedonia

Mexhiti kujton projektin e nisur para 20 vjetësh: Shkolla “Kongresi i Manastirit”, histori suksesi

Nga: A.M. Më: 24 nëntor 2026 Në ora: 23:05
Izet Mexhiti

Shkolla “Kongresi i Manastirit” në Çair shënon 20-vjetorin e themelimit, ndërsa zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka kujtuar nismën për ndërtimin e saj, të cilën e kishte ndërmarrë në vitin 2006, gjatë kohës kur drejtonte Komunën e Çairit.

Përmes një postimi, Mexhiti ka rikujtuar se projekti nisi në kushte të vështira, kur nxënësit zhvillonin mësimin në ambiente të përkohshme dhe baraka, ndërsa synimi ishte ndërtimi i një shkolle moderne që do t'u ofronte nxënësve shqiptarë kushte më të mira për arsimim.

“Sot, pas dy dekadash, të jem pjesë e festës së kësaj shkolle, të cilën e nisëm atëherë, është kënaqësi dhe emocion i veçantë”, ka shkruar Mexhiti.

Ai ka theksuar se viti 2006 kishte rëndësi të veçantë për Çairin, pasi krahas nisjes së projektit të shkollës, atë vit ishte vendosur edhe shtatorja e Skënderbeut në Shkup.

Sipas tij, emërtimi i shkollave dhe rrugëve me emra të personaliteteve historike shqiptare ishte pjesë e një vizioni më të gjerë për zhvillimin e Çairit, duke ruajtur njëkohësisht identitetin dhe trashëgiminë kombëtare.

“Në këtë vizion, shkolla ‘Kongresi i Manastirit’ kishte një domethënie të veçantë. Synimi nuk ishte vetëm t’u krijonim fëmijëve tanë kushte më të mira për arsimim, por edhe t’i rrisnim me dije dhe me vetëdijen se kush janë, nga vijnë dhe çfarë trashëgimie mbartin”, ka theksuar ai.

Mexhiti ka vlerësuar se kjo shkollë sot përfaqëson një histori suksesi, e cila vazhdon të ndërtohet nga brezi në brez.

“Ajo që nisëm si projekt, sot është një institucion me identitet, me histori dhe me mijëra nxënës që kanë kaluar nëpër bankat e tij”, ka shkruar ai.

Në fund, Mexhiti ka uruar shkollën për 20-vjetorin, duke shprehur dëshirën që ajo të vazhdojë të shënojë suksese dhe të edukojë gjenerata të reja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat