Osmani-Chollet: SHBA kërkon hapjen e shpejtë të negociatave mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së

Maqedonia

Osmani-Chollet: SHBA kërkon hapjen e shpejtë të negociatave mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së

Më: 9 shkurt 2022 Në ora: 18:43
Derek Chollet, Bujar Osmani

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot realizoi bisedë telefonike me Derek Chollet, Këshilltar në Stejt Departamentin e ShBA-së, njoftojnë nga MPJ.

Nga atje thonë se biseda vjen menjëherë pas vizitës së Këshilltarit Chollet në Bullgari, që është një momentum veçanërisht i rëndësishëm, duke pasur parasysh edhe dialogun e sapo krijuar midis Shkupit dhe Sofjes dhe hapat e ndërmarrë në drejtim të ndërtimit të besimit dhe tejkalimit të sfidave ndërmjet dy vendeve.

Ministri Osmani, theksojnë nga MPJ, shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për realizimin e qëllimeve tona strategjike dhe e theksoi rolin e rëndësishëm të miqve tanë amerikanë për prosperitetin dhe arritjet demokratike të Maqedonisë së Veriut. Me këtë rast, Këshilltari Chollet, edhe një here e rikonfirmoi mbështetjen e qartë dhe të pahamendshme për të filluar sa më shpejtë negociatat për aderim në BE, duke theksuar se perspektiva evropiane dhe prania e ShBA-së në rajon është jashtëzakonisht e rëndësishme për stabilitetin dhe prosperitetin e Maqedonisë së Veriut dhe Ballkanin Perëndimor.

“Bashkëbiseduesit shkëmbyem mendime mbi situatën aktuale të sigurisë në Evropë dhe ngjarjet në dhe rreth Ukrainës, ku u dakorduan se forcimi i bashkëpunimit transatlantik dhe qasja e përbashkët është thelbësore për tejkalimin e sfidave aktuale të sigurisë. Njëherazi, u shpreh mbështetja e ndërsjellë për sovranitetin, integritetin territorial dhe paprekshmërinë e kufijve të Ukrainës dhe bashkërisht bënë thirrje për deeskalimin e situatës përmes dialogut dhe komunikimit diplomatik, që është në interes të sigurisë së përgjithshme evropiane.

Gjatë bisedës telefonike, u bë fjalë edhe për marrëdhëniet bilaterale, ku u theksua rëndësia e avancimit të mëtejmë të tyre, e njëherazi u shqyrtuan edhe mundësitë për thellimin e partneritetit strategjik dhe forcimin e lidhjeve transatlantike”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Nga atje shtojnë se kjo është biseda e dytë telefonike e Ministrit Osmai me Këshilltarin Chollet brenda dy javëve të fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat