Gjashtë muaj pas tragjedisë në spitalin modular të Tetovës, deri tani “askush nuk është fajtor”

Maqedonia

Gjashtë muaj pas tragjedisë në spitalin modular të Tetovës, deri tani “askush nuk është fajtor”

Më: 15 mars 2022 Në ora: 11:58
Foto ilustrim

Edhe pse kanë kaluar gjashtë muaj, ende askush nuk po bart përgjegjësi për tragjedinë e zjarrit në spitalin modular në Tetovë ku vdiqën nga zjarri 14 pacientë të cilët po trajtoheshin nga Covid-19. Prokuroria nuk jep detaje konkrete, thotë se ende analizohen provat edhe pse deri tani janë kryer katër ekspertiza për këtë rast, shkruan Portalb.mk.

Prokuroria Themelore Publike së fundmi mori edhe raportin e ekspertizës gjermane, për të cilin thonë se nuk ndryshon shumë nga konstatimet e ekspertëve të Sektorit për Kontrolle Ekspertiza Kriminalistikë (SKEK). Sidoqoftë, nga atje nuk bëjnë të ditur detaje konkrete dhe nuk tregojnë se çfarë masash do të merren më tej për këtë rast, pasi siç njoftojnë kjo do të ndahet me publikun kur të vërtetohen të gjitha faktet.

“Për rastin në vazhdimësi janë ndërmarrë veprimet në kuadër të procedurës para hetimore për konstatimin e të gjitha fakteve dhe rrethanave. Të gjitha raportet analizohen në korrelacion me provat e tjera të marra, si dhe me deklaratat verbale të dëshmitarëve të dëgjuar dhe personave të tjerë që kanë dijeni për ngjarjen. Analiza e të gjitha provave të mbledhura është në vazhdim e sipër. Prokurorët publikë pas vërtetimit të plotë të fakteve në rastin do të marrin vendim për të cilin publiku do të informohet menjëherë”, thanë nga Prokuroria.

Deri sot nuk kemi një përgjigje konkrete se a ka pasur ose jo spitali sistem kundër zjarrit. Dëshmitarët që i kanë shpëtuar tmerrit kanë deklaruar se nuk ka pasur, por autoritetet përkatëse ende nuk konfirmojnë diçka të tillë. Nëse ka pasur, ku kanë qenë që pacientët nuk kanë mundur t’i gjejnë, kur janë kontrolluar së fundmi herë që funksionojnë ose jo?

Nuk e dimë ende se materiali me të cilin është ndërtuar a ka qenë rezistent ndaj zjarrit, edhe pse autoritetet thonë se spitali i ka përmbushur të gjitha standardet. Spitali është djegur vetëm për disa minuta dhe me plotë të drejtë qytetarët kërkojnë përgjigje ndaj pyetjes, nëse i ka përmbushur të gjitha standardet pse është djegur kaq shpejtë?

Nuk dihet se kush e ka bërë raportin për specifikat teknike të objektit. Prokuroria vetëm mbledh dokumentacione, por nuk i ndan me opinionin që qytetarët ta shohin dokumentacionin e ndërtimit të objektit.

Çështja tjetër, e cila gjithashtu është skandaloze, e për të cilën deri më tani askush nuk ka dhënë përgjegjësi është se në mesin e viktimave ka pasur edhe dy familjarë të pacientëve që janë kujdesur për familjarët e tyre. Kjo nënkupton që brenda spitalit ku trajtoheshin pacientët me Covid-19 ka pasur edhe familjarë të cilët aty kanë qëndruar me dijeni të personelit dhe administratës së spitalit, e cila është reptësisht e ndaluar.

Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat