Shtetasit e Kosovës të dënuar në rastin “Kumanova” ende pa përgjigje nëse do t’u pranohet kërkesa për transferim

Maqedonia

Shtetasit e Kosovës të dënuar në rastin “Kumanova” ende pa përgjigje nëse do t’u pranohet kërkesa për transferim

Më: 15 maj 2022 Në ora: 20:23
Grupi Kumanova

Shtetasit e Kosovës që janë të dënuar për ngjarjet e “Lagjes së Trimave” në Kumanovë, ende nuk e dinë se përse kërkesa e tyre për transferim në Kosovë ende nuk po merr përgjigje. Njëri nga avokatët, Naser Raufi për TV21 tregoi se aplikimi është dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë, por që e njëjta po zvarritet për shkak të mos përkthimit të lëndës.

“Ju kujtohet që ne aktgjykimin e kemi pritur, përkthimin në fakt të aktgjykimit më shumë se 6-7 muaj që të përkthehet, mandej ju kujtohet që Gjykata e Apelit e riktheu, për arsye që nuk ishte e përkthyer dhe kjo përsëritet praktikisht edhe në lëndën e transferimit që për ne informata është që arsyeja është përkthimi i dokumentacionit”, deklaroi Naser Raufi.

Arsye tjetër e zvarritjes së lëndës, sipas avokatit tjetër Ibrahim Bajrami, është mungesa e klauzolës së plotfuqishmërisë për aktgjykimin e shkallës së parë, pa të cilën, siç shpjegon, penalizohen jo vetëm në kërkesën e transferimit, por edhe në dorëzimin e aplikacioneve në Strasburg.

“Por, unë ju siguroj se ato as që mund të preken deri sa në vendimin e shkallës së parë nuk është e vulosur data e plotfuqishmërisë së vendimit të shkallës së parë dhe të ekzekutueshmërisë së shkallës së parë. Kjo na penalizon për shkak se ne mbrojtja, dhe të akuzuarit vendimet e shkallës së fundit, të Gjykatës Supreme i kemi marr qysh para 3 muaj e gjysmë, diku prej janarit e këndej kurse, dorëzimi i aplikacioneve në Strasburg tani me ligjet e reja është 4 muaj. Neve na penalizon dhe ne në qoftë se e dorëzojmë aplikacionin në rrethana që ne mendojmë se është thyer e drejta e të dënuarve dhe e mbrojtjes pa klauzolën e plotfuqishmërisë ne as atje nuk mund të bëjmë asgjë”, tha Ibrahim Bajrami.

Avokati pyeti nëse është gati klauzola që vërteton plotfuqishmërinë, megjithatë nga Gjykata Penale sërish e informuan se ende nuk do të mund të konfirmojë datën e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Disa ditë më parë lidhur me këtë çështje u pyet edhe ministri i drejtësisë, Nikolla Tupançevski i cili tha se bëhet fjalë për proces juridik të ndërlikuar ku ministria duhet të analizojë shumë faktorë, andaj nuk është marrë ende vendim.

Ndryshe, autoritetet e Kosovës nuk kanë dorëzuar zyrtarisht kërkesë për ekstradim të të dënuarve, por të dënuarit në fjalë kanë bërë kërkesa për transferim në shtetin e tyre amë për ta vuajtur dënimin.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat