​Ministria e Jashtme bullgare: Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE nuk do të shtyhet nëse i përmbush zotimet e saj

Maqedonia

​Ministria e Jashtme bullgare: Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE nuk do të shtyhet nëse i përmbush zotimet e saj

Më: 25 qershor 2022 Në ora: 15:40
Foto ilustrim

Rruga e Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në BE varet nga veprimet e atij vendi dhe nuk do të shtyhet nëse Republika e Maqedonisë së Veriut i përmbush zotimet e veta për vlerat evropiane dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, thuhet në deklaratën për media të Ministrisë së Punëve të Jashtme bullgare.

“Jemi të gatshëm të vazhdojmë me nënshkrimin e Protokollit sipas nenit 12 të Traktatit të Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Është koha që organet përgjegjëse në Republikën e Maqedonisë së Veriut të tregojnë jo me fjalë por me veprime përkushtimin dhe dëshirën e tyre për të ardhmen evropiane të vendit të tyre dhe të gjithë rajonit”, thuhet në qëndrimin e Ministrisë së Jashtme bullgare.

Deklarata e cilëson si historik vendimin e Asamblesë Kombëtare që Bullgaria të mbështesë dritën jeshile për pranimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE nën parametra të veçantë.

Në këtë kontekst, Asambleja Kombëtare pret që Këshilli i Ministrave të miratojë Kornizën Negociuese dhe draftin e Konkluzioneve të Këshillit, të propozuara zyrtarisht nga Presidenca aktuale franceze e Këshillit të BE-së, dhe të nënshkruajë procesverbalin e sesionit të dytë të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar sipas nenit 12 të Traktatit të Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit me Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke u fokusuar në parametrat kryesorë të dakorduar në parim me Shkupin, thuhet në deklaratën për media të Ministrisë së Punëve të Jashtme bullgare.

Vendimi i Asamblesë Kombëtare Bullgare nuk do të ishte i mundur pa përkushtimin e vendosur të Francës, si kryesuese e rradhës e Këshillit të Bashkimit Evropian, dhe shteteve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian për stabilitetin dhe prosperitetin e Bashkimit dhe të Ballkanit Perëndimor. Qasja e propozuar nga Presidenca e Këshillit të Bashkimit Evropian synon të gjejë zgjidhje të pranueshme reciprokisht që janë në interes të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe agresionin ushtarak të Rusisë në Ukrainë. Vendimi u mor falë përpjekjeve të vazhdueshme të institucioneve bullgare ndër vite dhe veçanërisht në muajt e fundit; përpjekje këto që marrin parasysh në radhë të parë interesin kombëtar, por edhe vlerat dhe prioritetet evropiane. 

Parametrat e vendimit të Kuvendit bullgar bazohen në propozimin e Presidencës franceze dhe nuk vendosin kushte përtej atyre të diskutuara në Bashkimin Evropian dhe gjatë negociatave dypalëshe me Republikën e Maqedonisë së Veriut, thotë MPJ, duke theksuar se vendimi pasqyron mbështetjen e gjerë të partive në Parlamentin bullgar për të ardhmen evropiane të të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat