​Talat Xhaferi i mbijeton mocionit të mosbesimit

Maqedonia

​Talat Xhaferi i mbijeton mocionit të mosbesimit

Më: 1 korrik 2022 Në ora: 08:09
Talat Xhaferi

Mocioni i mosbesimit ndaj kreut të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, i iniciuar nga partia opozitare VMRO-DPMNE, nuk ka kaluar. Parlamenti i shtetit fqinj zhvilloi punimet deri pak para mesnatës me debate pozitë-opozitë për punën e Xhaferit.

43 deputetë votuan “pro” mocionit ndërsa 61 të tjerë votuan “kundër” duke bërë që mocioni të mos kalojë.

Opozita akuzoi Xhaferin se ka për sjellje të pahijshme dhe shkelje të procedurave të Rregullores së punës së Kuvendit. Mocioni ishte ngritur pas pretendimeve të opozitës se Xhaferi kishte mbyllur me çelës dyert e sallës së seancës duke i mbajtur deputetët brenda pa dëshirën e tyre.

“Thoni se deshët që t’i numëroni deputetët, kjo nuk është e saktë, shërbimet i numërojnë të punësuarit sipas nenit 95 paragrafi 4 dhe kjo nuk është e kontestueshme që ta bëni dhe e bëni rregullisht. Por shërbimet e sigurisë e mbyllin derën por jo sipas kësaj procedure siç bëni ju. Kjo është vepër penal”, tha koordinatori i VMRO-DPMNE-së deklaroi Nikolla Micevski.

Xhaferi tha se një gjë të tillë e lejon ligji kur bëhet konstatimi i kuorumit.

“Shërbimi e ka për detyrë ta bëjë punën e vet në mënyrë të ndërgjegjshme. Nëse i kam mbyllur dyert sipas Rregullores, le të konstatohet gjendja faktike, sepse ashtu është procedura. Për dallim prej dikujt tjetër, unë nuk i kam hapur dyert duke e ekspozuar jetën e njerëzve”, tha Xhaferi duke kujtuar incidentin e vitit 2017 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Më pas, Xhaferi u akuzua se ka fyer punonjësit e Kuvendit si dhe nuk ndërmori veprime për të hequr deputetin e BDI, Arbër Ademi, si kryetar i Komisionit për Çështje Evropuiane pas një momenti tensioni në një nga mbledhjet e këtij komisioni.

Por, deputetët e BDI-së dhe të Lidhjes Social Demokrate mbrojtën Xhaferin dhe akuzuan opozitën se po tenton të krijojë situata tensioni të panevojshme në vend.

Xhaferi, gjatë gjithë seancës, ishte ulur në vendin e deputetit ndërsa seanca u drejtua nga zëvendësi i tij Goran Misovski.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat