Investimet e reja infrastrukturore në Maqedoni, do të mbikqyren nga ekspertë të huaj

Maqedonia

Investimet e reja infrastrukturore në Maqedoni, do të mbikqyren nga ekspertë të huaj

Më: 6 gusht 2022 Në ora: 18:19
Foto ilustrim

Instituti kroat IGH ka nënshkruar marrëveshje me Maqedoninë për shërbimet e mbikëqyrjes së ekspertëve dhe këshillimit juridik për ndërtimin e autostradave të reja që janë planifikuar në korridoret 8 dhe 10d, në vlerë të përgjithshme prej 22,6 milionë euro, njoftoi kompania.

Siç informon Faktor.Mk, marrëveshja ka hyrë në fuqi të mërkurën, më 3 gusht dhe është nënshkruar nga Instituti i Zagrebit IGH, si partner udhëheqës, në një konsorcium me Institutin për rrugë dhe Ndërmarrjen Publike për rrugë shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Indeksi Kroat.

Puna ka të bëjë me shërbimet e mbikëqyrjes së ekspertëve dhe këshillave juridike për ndërtimin e korridoreve të përmendura transportuese pan-evropiane në Maqedoni, të cilat do të lidhin Gostivarin me kufirin shqiptar përmes Strugës, si dhe autostradën Manastir – Prilep.

Konsulenti për ndërtimin e korridoreve 8 (Seksioni: Tetovë – Gostivar – Bukoiç dhe projekti për autostradën Trebenishtë – Strugë – Qafthanë) dhe 10 D (Seksioni i autostradës Prilep – Manastir), duhet të thotë më tej se sa do të kushtojnë këto autostrada.

Sipas njoftimit në faqen e Bursës së Zagrebit, vlera e përgjithshme e kontratës është 22,6 milionë euro (pa TVSH), ndërsa pjesëmarrja e Institutit IGH është 8,7 milionë euro (pa TVSH).

Kohëzgjatja e kontratës është 58 muaj, ndërsa faza e parë përfshin negociatat, projektimin dhe ekzekutimin për 46 muaj, dhe faza e dytë është një periudhë garancie prej 12 muajsh.

Autostradat e reja në Maqedoni do të ndërtohen nga konsorciumi amerikano-turk “Bechtel dhe Enka” përmes kushteve që mundësohen me ligj të veçantë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat