Historianët bullgarë: Moszbatimi i rekomandimeve, pasoja të pakëndshme për Shkupin

Maqedonia

Historianët bullgarë: Moszbatimi i rekomandimeve, pasoja të pakëndshme për Shkupin

Më: 17 gusht 2022 Në ora: 17:06
Foto ilustrim

Puna e Komisionit të Përzier është e pakënaqshme, vlerëson nënkryetari i tij nga pala bullgare, Naum Kajçev. Historiani pret që rekomandimet e miratuara deri më tani të zbatohen si në Maqedoni ashtu edhe në Bullgari. Në përgjigjen e pyetjes së një gazetari të BTV-së, Kajçev thotë se nëse Shkupi nuk e zbaton atë që është rënë dakord, ekziston një mekanizëm për të penguar procesin e negociatave me BE-në, por një vendim i tillë është në dorën e politikanëve.

“Atëherë është detyrë e palës tjetër të thotë se – këtu nuk janë zbatuar vendimet e Komisionit Ndërqeveritar, që do të thotë se Marrëveshja nuk përmbushet. Kështu do të kishte pasoja të pakëndshme për zbatimin e Marrëveshjes, që sjell pasoja të tjera”, u shpreh Naum Kajçev – historian bullgar.

Edhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, tha se ajo që është rënë dakord mes historianëve duhet të përmbushet në bazë të reciprocitetit, pra në të njëjtin moment kur do ta bëjë Sofja. Për këtë, shton Mariçiq, tashmë janë formuar grupet punës në Ministrinë e Punëve të Jashtme, të cilat janë të ngarkuara për zbatimin e rekomandimeve të historianëve.

“Me Protokollin që është nënshkruar muajin e kaluar, qeveritë kanë obligim në afat prej dy viteve, pasi është arritur njëlloj rezultati, ta zbatojnë atë. Kuptohet, kjo bëhet me faza dhe kalon nëpër filtrat e institucioneve. Për ne është e rëndësishme që të vazhdojë ky diskutim dhe të ketë mundësi rezultatet nga puna e Komisionit të historisë të pranohen në shoqëri, pa u prekur identiteti jonë dhe jam i sigurt që mund të bëhet”, tha Bojan Mariçiq- zëvendëskryeministër i çështjeve evropiane.

Nga ana tjetër, OBRM-PDUKM akuzon se çështjet historike janë shndërruar në ultimatum në këtë proces.

“Duke qenë se situata tregon se historianët bullgarë festojnë ndërsa tanët kritikojnë çdo ditë dhe japin një milion arsye pse nuk duhet hapur kjo temë, më shumë se qartë flet se marrëveshja është e dëmshme”, deklaroi Gordana Dimitrieska- Koçoska, nënkryetare e OBRM-PDUKM.

Paraprakisht, historianët, anëtarë të Komisionit nga pala maqedonase theksuan se zbatimi i rekomandimeve të tyre tani është në dorë të Qeverisë dhe institucioneve arsimore. Ata informuan se autonomia e Komisionit është respektuar dhe nuk iu janë nënshtruar sugjerimeve politike dhe rekomandimet i bënë së bashku me kolegët bullgarë, pasi kishin konstatuar gabime faktike dhe lëshime në tekstet shkollore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat