Angellovska-Bezhoska:Stabilizimi i çmimeve të importit duhet ta ngadalësojë inflacionin këtë vit

Maqedonia

Angellovska-Bezhoska:Stabilizimi i çmimeve të importit duhet ta ngadalësojë inflacionin këtë vit

Më: 27 janar 2023 Në ora: 13:47
Anita Angellovska-Bezhoska

Stabilizimi i çmimeve të produkteve primare, zvogëlimi i mëtejmë në furnizimin, por edhe kushtet e shtrënguara financiare ndërkombëtare që do të zvogëlojnë kërkesën duhet të kontribuojnë në stabilizimin e normave të inflacionit këtë vit, thotë guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska.

Në intervistën për “Deutsche Welle”, guvernatorja thekson se ulja e presionit nga çmimet e importit, veçanërisht të energjensave dhe ushqimit, do të jetë më e rëndësishmja për inflacionin e brendshëm. Angellovska-Bezhoska vlerëson se masat e ndërmarra nga Banka Popullore duhet të kontribuojnë në stabilizimin e pritjeve të inflacionit, si faktor i rëndësishëm që ndikon në inflacion, si dhe do të ndikojnë në një pjesë të indeksit të inflacionit, ajo që është më e ndjeshme ndaj ndryshimeve të kërkesës.

“Nisur nga parashikimet e institucioneve financiare ndërkombëtare për stabilizimin e çmimeve të produkteve primare në bursat botërore dhe pritshmëritë për zhvillimin e politikave makroekonomike, parashikohet një ngadalësim i inflacionit me çka këtë vit kjo do të arrihej në 8 deri në 9 për qind dhe në planin afatmesëm inflacioni do të vazhdojë të ulet, duke u ulur në nivelin 2.4 dhe 2 për qind në vitin 2024 dhe 2025”, thekson Angellovska-Bezhoska dhe shton se pritjet janë konform parashikimeve të institucioneve ndërkombëtare për uljen e inflacionit global dhe të brendshëm këtë vit.

Lidhur me masat e ndërmarra nga Banka Popullore, guvernatorja thekson se Banka qendrore në fund të vitit 2021 ka filluar të ndërmarrë më shumë masa.

“Mënyra dhe intensiteti i reagimeve nga Banka qendrore varet nga natyra e inflacionit, përkatësisht nga kontributi i faktorëve individual që ndikojnë në të, nga strategjia monetare dhe nga instrumentet me të cilat disponojnë”, thotë Angellovska-Bezhoska.

Rreziqet për këto projeksione, veçanërisht në lidhje me lëvizjet e ardhshme të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, siç thekson ajo, janë ende të theksuara, për shkak të pasigurisë në lidhje me kohëzgjatjen e luftës në Ukrainë, si dhe për shkak të dëmeve të mundshme të mëtejshme nga efektet e pandemisë që vazhdojnë ende.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat